Operatori i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor pohoi sot skandalin e dështimit të tenderave për 3 vjet me radhë për procesin e dezinsektimit në qarkun e Lezhës. Televizioni Klan pyeti Institutin e Shëndetit Publik dhe Ministritë e Shëndetësisë dhe atë të Turizmit për pasojat që ka sjellë mosbërja e dezinsektimit nga ISHP në plazhet e Shëngjinit, Ranës së Hedhun apo Kune Vainit.

Por në vend të tyre, ishte Operatori i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor që mori përsipër të përgjigjet me një komunikate publikë ‘copy-paste’, identike me atë të publikuar më 3 tetor, duke treguar se në vend të denzinsektimit që duhet të kryente ISHP, ka qenë njësia vendore e kujdesit shëndetësor në Lezhë që ka bërë spërkatje vetëm në disa zona, por duke pohuar se një proces i tillë nuk i jep zgjidhje problemit.

“Është e rëndësishme të theksojmë se këto trajtime nuk synojnë zhdukjen e plotë të mushkonjave, por reduktimin e ndjeshëm të numrit të tyre, veçanërisht në zonat e identifikuara si vatra problematike. Qëllimi kryesor është ulja e bezdisë nga pickimet e mushkonjave, veçanërisht gjatë sezonit turistik, si dhe minimizimi i rrezikut nga sëmundjet që transmetohen nga këto vektorë”.

Por në terren situata është tërësisht ndryshe nga rezultatet që Operatori i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor pretendon se mund të sillte një dezinsektim i pjesshëm nga institucionet vendore. Për shkak se prania e mushkonjave është shumë problematike për pushuesit vendas e të huaj, ISHP organizon çdo vit tendera në vlera të konsiderueshme për ta kryer vetë këtë proces.

Por ndërsa për Shkodrën, Durrësin apo Vlorën tenderat janë zhvilluar dhe procesi i dezinsektimit është kryer, për Lezhën, tenderimi ka dështuar për 3 vite me radhë. Për këtë arsye, dezinsektimi që duhet të bënte Instituti i Shëndetit Publik nuk është kyer as në vitin 2022, as në 2023 dhe as në vitin 2024, duke krijuar një situatë tejet problematike.

Tv Klan