Transporti i mbi 800 ton mbetjeve toksike nga porti i Durrësit në Tajlandë është kthyer në një çështje ndërkombëtare tashmë.


Krahas Prokurorisë së Durrësit, edhe Zyra e Bashkimit Evropian Kundër Mashtrimeve, OLAF, po kryen hetime lidhur me procesin që dyshohet i paligjshëm.

Ministrja Belinda Balluku u pyet sot nga gazetarët se kush e ka përgjegjësinë për transportin e mbetjeve helmuese pa autorizim. Balluku theksoi se është një proces administrativ nën hetim, prandaj nuk mund të fajësohet asnjë institucion.

“Porti i Durrësit dhe çështja e mbetjeve të rrezikshme janë dy gjëra totalisht të ndryshme sepse kam vënë re që përfshihet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Portual i Durrësit apo ministritë e tjera. Transporti apo regjimi i transportit të mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë ka filluar në ’98-ën, kjo është për t’ju dhënë ca fakte që të orientoheni. Ka një protokoll të mirëfilltë të cilin Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ua ka vënë në dispozicion të gjitha mediave. Ka edhe tranzitim edhe eksport të mbetjeve të rrezikshme të cilat janë të koduara në bazë të kodeve evropiane të transportit të këtyre mbetjeve.

Ka qenë një procedurë normale deri ditën që ka marrë këtë lloj përmase mediatike, sigurisht nga anëtarët e Konventës së Bazelit. Ajo që duhet theksuar është se Autoriteti Portual i Durrësit nuk ka lidhje me këtë proces. Janë proceduar nga një prej koncesionarëve që operojnë në portin e Durrësit. Autoriteti me koncesionarin që ka kryer këto transporte janë dy entitete konkurrente që ta keni të qartë. Autoriteti Portual nuk ka as tagër, as përgjegjësi dhe për më tepër as ekspertizë që të kontrollojë çdo kontenier se çfarë përmban. Në rastin e mbetjeve të rrezikshme ka kode që aplikohen në raste të tilla. Portin e Durrësit që keni vendosur ta bëni pis bëni mirë ta lini mënjanë sepse proceset në port janë transparente. Për shkallën e tij të sigurisë është vlerësuar disa herë nga aktorët ndërkombëtarë.

Faj për cilin fakt?! Nuk ka rezultuar asnjë gjykim i pëfunduar që të themi që ka ndodhur diçka që fajëson një institucion. Po shkoni në drejtimin e gabuar. Në Durrës operojnë koncensionarë të ndryshëm, fjala faj nuk duhet përdorur pasi është proces administrim që është nën hetim. Kush e ka fajin që kalojnë ato makinat në rrugë tani? Mund të ndodhë pas pak një aksident. Se kuptoj pse ka një padurim për të gjetur fajin, por ju siguroj se Autoriteti Portual Durrës nuk ka asnjë lidhje me procesin. Ka një procedurë që funksionon nga viti 1998”, deklaroi Balluku.

Kontenierët u nisën nga porti i Durrësit drejt Tajlandës më 4 korrik 2024. As vendi pritës e as vendet ku ngarkesa ka kaluar tranzit nuk janë njoftuar, ndërsa ishin disa grupe mjedisore ato që ngritën “alarmin”. Më pas dy anijet e kompanisë “Maersk” u bllokuan në afërsi të Afrikës së Jugut.

/tvklan.al