Zhvillohet ditën e sotme seanca e parë në Gjykatën e Posaçme ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe 4 të pandehurve të tjerë në lidhje me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Flojera Davidhi është gjyqtarja, e cila u caktua nga shorti për të drejtuar seancën paraprake.
Përveç Berishës, pjesë e dosjes janë dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja dhe noterja Andia Pustina.
Kujtojmë që dosja “Partizani” me 333 fashikuj u dorëzua pasditen e 18 Tetorit në gjykatë nga Prokuroria e Posaçme. Pritet që gjatë seancës ish-kryeministri Berisha të kërkojë revokim të masës së sigurimit.
Ndërkohë gjyqtarja Davidhi ka 3 mundësi për të vendosur. Ajo mund të pranojë kërkesën e SPAK dhe të kalojë çështjen për gjykim, të pranojë kërkesën e avokatëve dhe të pushojë çështjen ose mund të rikthejë dosjen në SPAK për hetime të mëtejshme duke i lënë detyra përkatëse.
Nëse gjyqtarja pranon aktet e dosjes së SPAK atëherë nis zyrtarisht gjyqi në themel.
Sali Berisha akuzohet në këtë dosje për korrupsion pasiv. Jamarbër Malltezi e Fatmir Bektashi akuzohen për korrupsion e pastrim parash ndërsa dy të pandehurit e tjerë vetëm për pastrim parash.
Kryetari i Partisë Demokratike dhe dhëndri i tij janë nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe përgjatë hetimit kanë mohuar akuzat. Ndërsa biznesmeni Fatmir Bektashi është hetuar nën masën detyrim paraqitje. Xhimi Begeja e Andia Pustina janë hetuar në gjendje të lirë gjatë kësaj kohe./tvklan.al