Lajme Arkiva – TV Klan 2004
“Investimi juaj i ardhshëm duhet të jetë në Shqipëri”. Me këtë moto qeveria shqiptare ka ftuar biznesin e huaj dhe veçanërisht atë amerikan, të kthejë sytë edhe në vendin e vogël ballkanik. Në një konferencë ekonomike të organizuar javën e kaluar në Nju Jork, përvojë e re kjo për të thithur investimet e huaja, janë paraqitur mundësitë që ofron tregu shqiptar.
E organizuar dhe me mbështetjen e Departamentit Amerikan të Shtetit për Tregtinë, PNUD-i dhe Euroazia Group, konferenca mblodhi investitorët amerikanë të interesuar për Shqipërinë, biznesmenët shqiptarë apo investitorë të huaj që operojnë tashmë në vendin tonë, të cilët treguan përvojat e tyre. Gjithashtu u bë dhe prezantimi i kompanive shqiptare në proces privatizimi Albtelecom dhe ARMO, të cilat mund të tërheqin vëmendjen e investitorëve strategjikë.
Konferenca ishte organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe në të qenë të pranishëm nënsekretari amerikan i departamentit të tregtisë William Lesh dhe zyrtarë të lartë të këtij departamenti, përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë financiarë, përfaqësues të kompanive amerikane dhe një grup biznesmenësh nga Shqipëria.
Kryeministri Fatos Nano ka qenë i pari që ka paraqitur mundësitë dhe garancitë që ofron Shqipëria për biznesin e huaj. Sipas kryeministrit zhvillimi i institucioneve demokratike, ecuria e reformave të gjithanshme dhe situata makroekonomike në vend, përbëjnë një klimë të favorshme për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.
“Bazuar në traditat e shkëlqyera ne jemi të angazhuar për të konsoliduar bashkërisht partneritetin ekonomik mes dy vendeve”, tha kryeministri Nano, duke iu referuar marrëdhënieve me SHBA. Shqipëria po bëhet dita-ditës pjesë e ekonomisë globale dhe ofron avantazhe konkurruese përmes kostos së ulët dhe burimeve të shumta natyrore, shtoi ai.
Ndryshe nga vlerësimet e fundit të Bashkimit Europian, kryeministri shqiptar deklaroi në Nju Jork, se ka pasur shumë arritje në reformat politike dhe ekonomike të viteve të fundit. Sipas Nanos, parametrat e zhvillimit politik, ekonomik e social në Shqipëri, janë midis më pozitiveve në Ballkan. Është viti i 8-të radhazi, tha ai, që ekonomia shqiptare karakterizohet nga stabiliteti dhe një rritje ekonomike e qëndrueshme.
Në ftesën e tij karshi investitorëve amerikanë, kryeministri shqiptar renditi dhe një sërë shifrash dhe vlerësoi se rritja mesatare vjetore e prodhimit të brendshëm bruto është 7%. Xhidipia për frymë 3 herë më e lartë në krahasim me 8 vjet më parë, ndërsa numri i ndërmarrjeve private është rritur me 5% në vit. Investitorët e huaj janë të mirëpritur të investohen në të gjithë sektorët e ekonomisë sonë dhe atyre iu garantohet trajtimi kombëtar. Ne besojmë se tashmë ekzistojnë të gjitha kushtet e nevojshme për financimet, prodhimet dhe kapitalin tregtar amerikan për të investuar në tregun shqiptar. Ftojë kapitalin amerikan të marrë pjesë në këtë proces privatizimesh. Qeveria shqiptare dhe unë jemi plotësisht të angazhuar dhe iu garantojmë procedura transparente, efikase sipas standardeve të kërkuara, e ka mbyllur fjalën e tij kryeministri shqiptar.
Në konferencë përshëndeti dhe nënsekretari i departamentit të tregtisë të SHBA William Lesh. Zoti Llesh tha, se departamenti i tij po punon për nxitjen e kompanive amerikane për të investuar në Shqipëri, pasi SHBA kanë gjetur tek Shqipëria një mike të mirë. Përveç një vendi me stabilitet në rajon, Shqipëria mund të shërbejë edhe si një treg i mirë për kapitalet amerikane.
Edhe Ministri i Ekonomisë Anastas Angjeli ka renditur një sërë shifrash dhe faktorësh që sipas tij e bëjnë Shqipërinë një vend tërheqës për investitorët amerikanë. Ngritja dhe funksionimi i institucioneve të tregut, si krijimi i agjencive të mbështetjes së biznesit, bërja operacionale e Entit Kombëtar të zonave të lira, masat e karakterit legjislativ, si ratifikimi i marrëveshjeve për arbitrazhin, rritja e aksesit dhe sigurisë për tokën, ndërmjet zgjidhjes së problemeve që lidhen me identifikimin, regjistrimin dhe kompensimin e saj, reforma në sistemin e taksave dhe doganave nëpërmjet reduktimit të procedurave etj, janë masat që sipas ministrit Angjeli, ndikojnë në përmirësimin e klimës së investimeve.
Në seancën e dytë të konferencës të cilën e çeli Estela Dashi, drejtoreshë e Agjencisë për Nxitjen e Investimeve të Huaja, u fol kryesisht për mundësitë dhe përvojat reale që ofron tregu shqiptar për biznesin e huaj. Kanë treguar përvojën e tyre presidenti i Fondit Shqiptaro-Amerikan Grifin, presidenti i Bankës Amerikane të Shqipërisë Lorenco Roncari, drejtori i AMC Stefano Oktapodhis etj…/tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka