Vetëdorëzohet Balili/ Zëri i Amerikës “hyn” në kazan.
Mëngjesin e sotëm u mësua lajmi, se i shumëkërkuari Klement Balili u vetëdorëzua në policinë e Tiranës. Por kryeministri Rama e quajti sërish kazan median, që foli për vetëdorëzim, duke thënë, se edhe vetëdorëzimi ishte rezultat i një operacioni të mirëorganizuar. Mbrëmjen e djeshme, Zëri i Amerikës, publikoi pjesë nga një dosje hetimore me përgjimet e ish-drejtorit të burgjeve, Arben Cuko. Ky i fundit bisedonte me deputetë e drejtues të PS-së, si dhe shefen e kabinetit të kryeministrit Rama, për të punësuar njerëz partiakë në burgje.Por Rama edhe këtë herë e quajti kronikën e VOA-s, si jehonë nga kazani.
Skandali i gjyqtares Pajtime Fetahu, jep dy vendime për të njejtën cështje.
Dafina Peci, banore e fshatit Gjinar në Elbasan, denoncon në emisionin “Stop” në Tv Klan gjyqtaren e Elbasanit, Pajtime Fetahu. Sipas saj, gjyqtarja ka falsifikuar një vendim, duke rritur në mënyrë fiktive sipërfaqjen e tokës së saj në Gjinar.Për të njejtën çështje, Pajtime Fetahu ka dhënë dy vendime gjyqësore identike, por me sipërfaqje toke të ndryshme.
Në vendimin e parë, sipërfaqja e tokës është 314 dynym, kurse i dyti 383 dynim. Përveç rritjes së dynymëve, të dyja vendimet që mbajnë datën 2003, janë identike, duke përfshirë edhe numrin e vendimit.
Pra, njëri nga të dy vendimet është i falsifikuar. Qytetarja Dafina Peci thotë për “Stop” se u ankua në Gjykatën e Elbasanit, dhe pati një takim me gjyqtaren në fjalë. Pajtime Fetahu nuk kishte asnjë përgjigje për të dhënë.
Dafina Peci: “Pajtime Fetahu, gjyqtarja e Elbasanit, ka bërë dy vendime gjykate, të njëjtën ditë, të njëjtin numër, hektarët kanë ndryshuar. Një vendim ka 383 hektarë e 4 dynym, ndërsa tjetra ka 314 hektarë e 4 dynym. Vendimet i kam marrë në arkivën e gjykatës. Janë me vulë, me firma me të gjitha. Sekretaret ndryshojnë. Kam shkuar te kryetari i Gjykatës z.Arben Vrioni. Ai ftoi dhe Pajtimen edhe Kancelaren e Gjykatës. Kancelarja mblodhi supet. Të gjithë dëmin ma ka sjellë Pajtime Fetahu, gjyqtarja. Gjyqtarja thotë firma ime, por nuk e di se si janë bërë. Aq probleme më kanë sjellë, kam 10 vjet që kam harxhur 100 milionë Lekë. Kam kërkuar që të gjej drejtësi në çdo zyrë të shtetit edhe nuk më është dhënë e drejta”.
Gazetarët e emisionit “Stop” pyetën konstitucionalistin Çlirim Gjata, i sqaron se është absurde të ketë dy vendime në këtë mënyrë. Çlirim Gjata shprehet se duhet bërë akt ekspertimi për të provuar nëse firma e gjyqtares në dokumentin e dytë është e falsifikuar apo është origjinale.
Çlirim Gjata: “Është e pamundur të kemi dy vendime me të njëjtin numër regjistri themeltar, numër vendimi, datë dhe gjyqtar. Janë të njëjtat palë, është vërtetim fakti i pronësive të vjetra. Njëri vendim ka 74 dynym më shumë se sa tjetri. Kjo ka hapur një konflikt tjetër pastaj. Është e pamundur të japë të njëjtin numër, të njëjtin numër regjistri themeltar se s’ka si regjistrohet. Njëri është i falsifikuar këtu. Zoti na ruajt t’i ketë bërë të dy gjyqtarja. Nuk dua ta besoj atë. Puna e parë që duhet të bënte Prokuroria është që të bënte aktin e ekspertimit. Mund ta bëjë edhe pa emër. Të merrte një grup ekspertësh dhe të shikonte a është firma e kësaj gjyqtares. Të hetonte në Sekretari. Të pyeste dhe gjyqtaren. Burimi më i madh i kriminalitetit sot janë konflitet civile, pikërisht këto 74 dynym e vijat e ujit tek gardhi”.
Për të shqyrtuar se si ka mundësi që ekzistojnë dy dokumente identike me të njëjtat firma dhe numra vendimi por me sipërfaqe të ndryshme toke, çështja u mor në dorë nga prokurorja e Elbasanit Enkeleida Millonai. Kjo e fundit mbylli dosjen dhe nuk përfshiu në hetim as gjyqtaren Pajtime Fetahu, e cila ka dhënë vendimet gjyqësore.
Dafina Peci: “Kam ardhur në Prokurorinë e Elbasanit dhe e pushuan çështjen. Kam shkuar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe e kthyen përgjigjen po tek Prokuroria e Elbasanit. Dhe asnjë gjë. Pushim”!
Ish-ministri i Drejtësisë dhe juristi Ylli Manjani, këmbëngul që Prokuroria duhet ta kishte zbardhur këtë çështje. Njësoj si juristi Çlirim Gjata, edhe Manjani thotë se duhet bërë akt ekspertimi për të provuar dokumentin e falsifikuar.
Ylli Manjani: “Me këto dy dokumente që ju më tregoni në kushte normale do të duhet të ndahet kush është i rregullt dhe kush jo një hetim penal i plotë, i mirëfilltë, i cili do duhet të sqaronte se në ç’rrethana është prodhuar njëri dokument dhe në ç’rrethana është prodhuar dokumenti tjetër. Prokuroria kishte barrë dhe ka ende barrën ligjore që t’i japë përgjigje dy pyetjeve. E para, a jemi para një falsifikimi apo jo? E dyta, kush e bëri falsifikimin? Sepse është kollaj të thuash që e bëri gjykata, por nëse kjo nuk hetohet, atëherë çfarë kuptimi ka. Për fat të keq edhe kjo është pjesë e rutinës që Prokuroria nuk heton, ose heton përciptas, edhe mbyllet me atë vendimin e famshëm të pushimit të çështjeve për mungesë provash.
Edhe nga procesi që ka ndjekur Prokuroria, më duket se është i paplotë. Sepse hetimi në tilla raste fillon dhe baza hetimore është me një akt-ekspertimi. Akti i ekspertimit nuk është thjesht krahasimi i dy dokumenteve. Por është krahasim i dokumenteve të gjetura, objekt hetimi me nënshkrimet origjinale të personave që pretendohet se kanë firmosur në këto dokumente. Mesa kuptoj, ky proces nuk ka ndodhur, nuk është bërë. Nëse kjo s’ka ndodhu, s’ka se si të gjendet autori. Një hetim i paplotë lë pa përgjigje të dyja pyetjet që ju thashë. Këto dy pyetje Prokuroria duhet t’i sqarojë. Edhe sot mund të bësh rihapje të çështjes”.
Për të vërtetuar nëse firma e dytë e gjyqtares Pajtime Fetahu është e falsifikuar, qytetarja Dafina Peci dhe emisionit “Stop” bëjnë atë që duhet të ishte bërë nga Prokuroria. Dafina Peci dhe Stop pajtuan pajtoi një ekspert privat, për verifikimin e firmës së gjyqtares Pajtime Fetahu. Eksperti Artan Rexhepi pohon se në të dy rastet firma është e gjyqtares Pajtime Fetahu, ndaj njëri nga vendimet është falsifikuar me dijeni të vet gjyqtares.
Artan Rexhepi: “Në rastin e krahasimit të dy nënshkrimeve në emër të shtetases Pajtimet Fetahu, përputhmëria është bërë në bazë të krahasimit të karakteristikave të përgjithshme të veçanta të individit. Te karakteristikat e përgjithshme po e filloj me vendosjen fotografike të nënshkrimit, i cili në të dyja rastet është instiktive, në rubrikat e shtypshkruara vendoset poshtë shkronjës F. Pastaj fillojmë me pjerrësinë e nënshkrimit, është e njëjtë. Fillojmë me pikën e fillimit dhe pikën e mbarimit. Ruhen raporte të njëjta në pozicion me njëra-tjetrën. Më pas kalojmë tek pjerrësia që krijojnë elementët në raport me njëri-tjetrin. Kemi një pjerrësi këndore në rastin e shkronjës J dhe U. Në të dyja rastet ekzakte pothuajse në kënd të përbashkët. Nënshkrimet në fjalë paraqesin shumë pak variacion. Pra, janë nënshkrime tipike, të shkruara mirë dhe shumë të ngjashme”.
Pas vërtetimit të autenticitetit të firmës së gjyqtares Pajtime Fetahu, gazetari Saimir Kodra paralajmëroi se “Stop” do të bëjë një kallëzim për t’u hetuar kjo çështje dhe të zbardhet falsifikimi i dy vendimeve gjyqësore.
Eksperti Rexhepi: Në të dy vendimet është firma e Pajtime Fetahut.
Ish-ministri i drejtësisë, Ylli Manjani, këmbëngul, që prokuroria duhet ta kishte zbardhur këtë cështje.Por meqë prokuroria nuk e bëri këtë, Dafina Peci pajtoi një ekspert privat, për verifikimin e firmës së gjyqtares Pajtime Fetahu.Artan Rexhepi pohon, se në të dy rastet firma është e gjyqtares Pajtime Fetahu, ndaj njëri nga vendimet është falsifikuar.