Superliga shqiptare rikthehet sërish në fushë me takimet që do zhvillohen të premten dhe të shtunën. Sfidë interesante për zonën e lartë të renditjes luhet në Rrogozhinë. Kampionët e vendit presin Dinamon, me dy skuadrat që ndajnë pozicionohet 2 dhe 3.
Ecuri të ngjashme për dy ekipet, në kuotën e 15 pikëve, ku diferencën për momentin e bën vetëm golavarazhi. Ndeshje e cila luhet këtë të premte, ditë në të cilën do të zhvillohen edhe përballjet Bylis-Teuta e Tirana-Laçi.
Vëmendja kryesore do të jetë te supersfida e ‘Loro Boriçit”, mes Vllaznisë dhe Partizanit. Shkodranët nuk po përjetojnë moment të mirë në këtë pikë të sezonit, pasi në tre ndeshjet e fundit ka regjistruar 2 humbje dhe një barazim. Përballja me kryesuesit aktual të renditjes bëhet akoma dhe më interesante për shkak edhe të diferencave të vogla në renditje.
Partizani numëron 2 pikë më shumë se shkodranët, të cilët në rast suksesi do parakalonin në renditje kryeqytetasit. Sfidë që luhet të shtunën në orën 19:30, ndërsa më herët, në fushë zbret Elbasani kundër Skënderbeut. Verdheblutë po përjetojnë ecuri të mirë, pasi nuk kanë pësuar disfatë prej 6 ndeshjeve. Elbasani ka 14 pikë, ndërsa korçarët gjenden të 8-ët me 10 pikë.
Klan News