28 lojtarë ka ftuar Sylvinho për dy ndeshjet e futbollit të Ligës së Kombeve që do të luhen më 16 dhe 19 Nëntor kundër Çekisëdhe kundër Ukrainës. Ndër ta ka disa që nuk kanë qenë në formë në klubet e tyre, por pritet të vijnë për të saktësuar gjendjen fizike me stafin mjekësor të kombëtares.

“Kam 28 lojtarë, por shpjegohet lehtë. Kemi 5 lojtarë me të verdhë, dy ndeshje në shtëpi, nuk kemi transferta, nuk ka avion, kemi qendër të mirë këtu. Kemi gjithçka këtu. Vendosëm të merrnim maksimumin e mundshëm. Përtej atyre me të verdhë, kemi 3 lojtarë që janë në situatë gri. Kemi folur me doktorët, me klubet, edhe Stesina, duhet të shohim situatën e Kumbullës, Manajt dhe Bares. Duhet të merren, të shohim si janë, nëse janë në gjendje të luajnë apo jo”, tha Sylvinho.

Grupi është i barazpeshuar dhe të gjithë kanë mundësinë të zënë vendin e parë dhe kjo situatë shton rëndësinë e çdo sfide.

“Padyshim si të gjithë mund të dalim të parët, por në këtë grup mund të ndodhë gjithçka. Vjen Gjeorgjia dhe na mund, shkojmë ne atje dhe e mundim. Janë katër kombëtare që kanë luajtur në Europian, ka cilësi, janë lojtarë që luajnë në Bundesligë, Premier Ligë, janë të fortë. Kemi avantazhin që luajmë në shtëpi të dy ndeshjet, është një avantazh i vogël, por i mirë”, tha Sylvinho.

Gjatë fundjavës do të nisin të grumbullohen të gjithë futbollistët për të filluar të hënën përgatitjet zyrtare për ndeshjet. Sfidat do të transmetohen në TV Klan.

Tv Klan