Lajme Arkiva – Tv Klan 2000

Lufta kundër krimit të organizuar, problemet ndërkufitare dhe trafiqet e paligjshme, sidomos ato të qenieve njerëzore, kanë mbledhur në Ohër të Maqedonisë, tre Ministrat e Rendit, të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë. Pozicionet gjeografike të tre vendeve, në pika kyçe të kalimit të trafiqeve nga Lindja drejt Europës Perëndimore, bëjnë që policitë e tre vendeve të përballen me të njëjtat probleme.

Spartak Poçi, Ministri i Rendit:- “Me takimin e sotëm, fillon një etapë e re tepër e rëndësishme e marrjes së përgjegjësive edhe nga ministritë tona përkatëse, për luftën kundër krimit të organizuar. Është një përgjegjësi që vjen natyrshëm në kuadrin e bashkëpunimit dhe përpjekjeve i gjithë komunitetit evropian, për integrimin e Europës Juglindore”.

Këto projekte të bashkëpunimit duhen zgjeruar më tej me koordinim policor edhe me vendet e tjera të Ballkanit, kanë kërkuar tre ministrat e Rendit në takimin e Ohrit. Në fund ministri shqiptar Spartak Poçi dhe ministrja maqedonase Dosta Dimovska, kanë nënshkruar një marrëveshje të bashkëpunimit dypalësh për çështje të kontrollit kufitar dhe parandalimin e emigracionit të paligjshëm mes dy vendeve./tvklan.al