Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kancelari gjerman Olaf Scholz u takuan në Paris për të diskutuar çështjet e Ukrainës dhe ekonomike, ndërsa Evropa do t’i përgjigjet kërcënimeve për tarifa nga Presidenti amerikan Donald Trump.

Për presidentin francez Emmanuel Macron, më shumë se kurrë, evropianët, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, duhet të mbrojnë sovranitetin e tyre përballë rikthimit të Trump.

“Pas inaugurimit të një administrate të re në Shtetet e Bashkuara, më shumë se kurrë u takon evropianëve, dhe kështu dy vendeve tona, të luajnë rolin e tyre për konsolidimin e një Evrope të bashkuar, të fortë dhe sovrane”, tha Emmanuel Macron.

Macron u shpreh se është e rëndësishme të mbështetet sektori i automobilave, çelikut, kimikateve.

“Ka gjithashtu një emergjencë për të mbështetur disa sektorë kritikë  automobilizmi, çeliku, sektori kimik. Industria evropiane e mbrojtjes është gjithashtu një emergjencë për të përdorur të gjitha instrumentet për tu siguruar për kompanitë dhe fermerët tanë se ka kushte të ndershme konkurrence, në një botë që është gjithnjë e më brutale. Evropa gjithashtu jo vetëm që duhet të shpenzojë më shumë për mbrojtjen, por duhet të zhvillojë themelet e saj industrial dhe aftësitë e veta”, tha Macron.

Gjithashtu edhe për kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidenca e Donald Trump paraqet sfida të rëndësishme për Evropën.

“Që nga kjo javë ne kemi të bëjmë me një administratë të re amerikane.  Presidenti Trump e bëri tashmë të qartë se kjo do të jetë një sfidë. Ai ka shpallur një numër vendimesh. Ne sigurisht do t’i analizojmë ato në detaje së bashku me partnerët tanë evropianë. Mbi këtë bazë, ne do të punojmë së bashku me SHBA-në dhe me Presidentin e ri amerikan. NATO është garantuesi qendror i sigurisë në Evropë dhe i marrëdhënieve transatlantike”, tha Olaf Scholz.

Shumë vende të BE-së kanë ekonomi të orientuara nga eksporti. Duke u përballur tashmë me kosto më të larta të energjisë për shkak të luftës në Ukrainë dhe një ngadalësimi të tregtisë me Kinën,  ende ekziston frika nga këto tarifa.

Klan News