Larja e dhëmbëve është një veprim që e bëjmë çdo ditë, por a e kryejmë si duhet?
Elementët e një higjiene të mirë orale janë katër: larja e dhëmbëve dy herë në ditë me një pastë me fluor, pastrimi një herë në ditë me fill dentar, një dietë e shëndetshme dhe vizitat e rregullta te dentisti, thotë dr. Matthew Messina nga Ohio State University College of Dentistry dhe zëdhënës i American Dental Association.
Shëndeti dentar është i rëndësishëm jo vetëm për mirëmbajtjen e tyre të jashtme, por për të parandaluar sëmundjet e mishrave dhe të dhëmbëve që mund të ndikojnë në organe të tjera të trupit.
Kur merremi me pastrimin e dhëmbëve, qëllimi është kontrolli i baktereve në to.
“Ne duhet t’i trazojmë dhe zhvendosim, si dhe të pakësojmë ushqimin që hanë”, thotë Messina.
Bakteret në dhëmbë djegin sheqernat dhe prodhojnë acid që shpërbën shtresën e jashtme të dhëmbit. Kur ai dobësohet, me kalimin e kohës shkakton kavitete por pakësimi i kohës në të cilën bakteret mund të përdorin sheqernat dhe përdorimi i produkteve me fluor, ndihmon në parandalimin e shpërbërjes.
Këtu hyn në lojë rendi që duhet ndjekur për higjienën orale.
Filloni me fillin dentar për të hequr mbetjet të cilat i largon më vonë furça e dhëmbëve. Duhet t’i përdorni të dyja këto metoda që dhëmbët të pastrohen. Filli kujdeset për 40% të sipërfaqes së dhëmbit ndërsa furça për 60%.
Nëse e shpëlani gojën pas përdorimit të furçës, do të ishte më mirë ta shmangni. Mjafton të pështyni sepse pasta e dhëmbëve me fluor bën efekt vetëm nëse qëndron në dhëmbë rreth 30 minuta pas larjes.
Gjithashtu, nëse doni të pini ujë apo të përdorni një shpëlarës pa fluor, mos e bëni menjëherë pas larjes së dhëmbëve sepse fluori s’do të mund të depërtojë në sipërfaqen e dhëmbit.
Shmangni shpëlarësit e gojës që përmbajnë alkool dhe zgjidhni ata që përmbajnë fluor për të përforcuar ‘rruazat’ tuaja.
Dentistët rekomandojnë furçat elektrike të dhëmbëve, ndonëse edhe ato manuale funksionojnë mjaft mirë nëse kostoja e të parave ju duket e tepërt./tvklan.al