Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Temperaturat e larta kanë shkaktuar edhe viktimat e para. Dy raste vdekje janë shënuar vetëm ditën e djeshme në qytetin e Durrësit, ndërsa numërohen 35 viktima të vapës në krejt rajonin e Ballkanit gjatë dy ditëve të fundit.

Në Urgjencën e Kardiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mjekët thonë, se gjatë javës së fundit ka pasur një rritje të numrit të pacientëve me zemër që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, për shkak të komplikacioneve të krijuara nga temperatura tepër të larta.

Mjeku: “Javën e fundit mund ta them, që numri është shtuar, megjithatë në ditë të ndryshme ka ditë që numri është goxha i madh, ka ditë që numri nuk është edhe aq i madh”.

Gazetarja: Janë vetëm shtrime, apo ka dhe raste që vijnë vizitohen dhe largohen prapë?

Mjeku: “Shtrimet janë konstant, përgjithësisht me kapacitet të plotë, por më shumë janë njerëz që vijnë marrin ndihmën e parë dhe largohen pastaj në drejtimin e tyre”.

Megjithatë sipas mjekëve, në këtë periudhë të karakterizuar nga temperatura mbi 35 gradë është normale që numri i pacientëve që i drejtohen urgjencës për vizita të jetë më i madh. Ndërsa në Urgjencën e Pediatrisë, situata paraqitet tepër e qetë. Mjekët thonë, se numri i fëmijëve që vijnë për të kryer vizita këto ditët e fundit është tepër normal, megjithatë ata japin si gjithmonë rekomandimet e tyre për fëmijët dhe të moshuarit./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka