Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, foli për mediat, në prag të sfidës derbi me Tiranën, që do të luhet në Vlorë.
Tekniku i bluve, deklaroi se spektakli në këtë përballje është i sigurt, ndërsa kërkoi kujdes nga skuadra e tij.
Gjithashtu Daja theksoi se do të ketë ndryshime sa i përket titullarëe, por nuk zbuloi emra.
“Së pari gjej rastin të falënderoj Flamurtarin dhe presidentin Sinan Idrizi që na hapën derën, pavarësisht se është pritëse Tirana në këtë ndeshje. Më në fund u gjet edhe stadiumi, kjo është pozitive. Jo pozitive është distanca e largët e tifozëve, por shpresojmë që vakumin që mund të krijohet nga mungesa e tifozëve të Tiranës dhe Dinamos, ta plotësojnë tifozët vlonjatë. Edhe ata e pëlqejnë derbin.
Dinamo dhe Tirana kanë luajtur hapur këto javë dhe besoj se spektakli do të jetë i sigurt. Kemi mungesa, por do të mësohemi me to, sepse gjatë kampionatit ne dhe kundërshtarët do të kemi mungesa nga dëmtimet dhe kartonët. Nuk justifikohemi me faktin që kemi mungesa, kemi punuar me lojtarët që kemi në dispozicion.
Ndërrimet janë 5 tani dhe duhet të kemi një kontingjent më të madh për të përballuar ndeshjet. Ata që do të luajnë nesër, do të japin maksimumin. Derbi është një ndeshje për t’u fituar, por i ka të tre rezultatet brenda.
Na pëlqen të shkojmë drejt fitores, por duhet të djersitim. Tirana ka tranzicione të forta në lojë, si negative, edhe pozitive. Kemi mungesa, por duhet t’i hedhim pas krahëve. Do ketë ndryshime, por nuk mund t’i bëj të ditura”, deklaroi Daja.
Ndeshja Tirana-Dinamo do të luhet të shtunën, duke nisur nga ora 14:00, në stadiumin “Flamurtari” në Vlorë. /tvklan.al