Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Ambasadën e Hungarisë organizoi mbrëmjen e djeshme një ceremoni të posaçme për marrjen e presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian nga Hungaria.
Në fjalën e tij Veliaj vuri në dukje marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, ndërsa komentoi edhe rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.
“Ambicia e Shqipërisë 2030 është ambicia e Shqipërisë që integrohet në Bashkimin Europian. Jam i sigurt se ngritja e dorës për miratimin e anëtarësisë sonë mund të zgjasë vetëm 30 sekonda, por pas tyre fshihen 40 vite punë. Ne jemi duke punuar për këtë dhe e kemi marrë shumë seriozisht, sidomos vitet e fundit.”
I ngarkuari me punë i Ambasadës së Hungarisë në Tiranë thotë se një ndër 7 prioritetet është edhe politika e zgjerimit.
“Nuk është vetëm Hungaria që ka punuar për presidencën europiane, edhe Shqipëria ka bërë detyrat e saj të shtëpisë dhe i ka kryer ato shumë mirë. Hungaria është gati, Shqipëria është gati. Të gjithë i kemi kryer detyrat e shtëpisë për t’u përqendruar në politikat e zgjerimit të BE.”
Hungaria do të udhëheqë presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian për gjashtë muajt e ardhshëm.
Tv Klan