Tentoi të vjedhë mallin e kompleksit “Llanaj” në Tiranë, por gjen vdekjen. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes rreth orës 12 në këtë kompleks, pronë e biznesmenit Feim Llanaj.
Grabitjet apo vjedhjet me armë të pronës private në mes të qytetit të Tiranës, apo Durrësit janë kthyer kohët e fundit në një makth të vërtetë për shumë biznesmenë që përballen me kriminel, apo ku jeta dhe prona e tyre vihen në dilemë.
Tentativa e vjedhjes së një prej bizneseve pranë unazës së re, vetëm pak minuta pas mesnatës, ka bërë që një prej vjedhësve të vritet nga pronari, ndërsa një tjetër bashkëpunëtor i tij është larguar pa u identifikuar ende.
Idajet Beqiri: “Ka zbritur shkallët e shtëpisë që ka këtu dhe ka ardhur në katin e parë. Kur ka ardhur në këtu pikërisht në këtë vend këtu, në këtë moment ka zbritur një nga grabitësit nga shkallët dhe janë përplasur të dy. Pikërisht në këtë vend këtu i ka rënë pistoleta grabitësit dhe grabitësi në këtë moment ka ikur me vrap, e ka marrë armën dhe në këtë moment që ka marr armën në dorë ka marrë në telefon 129, policinë. Në momentin që ky ka marrë pistoletën dhe lajmëroi policinë atëherë është ngjitur nëpër shkallë biznesmeni Feim Llanaj dhe ka ardhur tek kati i dytë për ta parë çfarë ndodhi domethënë. Brenda ishte shumë errësirë, ka parë një person me maskë dhe ai personi me maskë kishte një levë hekuri në dorë dhe personi brenda ky grabitësi i dytë, se ky se dinte do me thënë, u befasua kur e pa. Ai është drejtuar që ti qëllonte me levën e hekurit dhe mund edhe ta hidhte këtej se ishte kështu një egërsi siç e shpjegoi. Dhe në atë moment që ai kishte levën e hekurit ky seç ka bërë me pistoletën nuk dihet. Vetëm dihet që kur ka ardhur policia e ka gjetur të plagosur grabitësin e dytë, e kanë marrë e kanë çuar në spital dhe pastaj ai ka vdekur.”
Avokati Idajet Beqiri, i cili ka marrë përsipër mbrojtjen ligjore të biznesmenit tashmë të shoqëruar, deklaron se ai nuk mund të mbajë mbi shpatulla asnjë përgjegjësi ligjore për vdekjen e një prej grabitësve.
Vetëm pak orë pas kësaj ngjarje në një tjetër lagje është shënuar po një tjetër grabitje, ku i zoti i shtëpisë kishte mundur të kapte agresorin duke e lidhur me tela brenda banesës./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani