Shqipëria bëhet anëtare e Komitetit Përgatitor të Konferencës Botërore të Kryeparlamentarëve për të parën herë.
Në takimin, që u zhvillua në Gjenevë me anëtarët e këtij komiteti ka qenë e pranishme edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.
20 kryetarë parlamentesh nga të gjitha kontinentet kanë diskutuar në lidhje me konferencën e tretë botërore të kryeparlamentarëve, që pritet të mbahet në vitin 2010.
Ata theksuan se kjo konferencë synon të përfshijë në agjendë të gjitha çështjet me të cilat përballet globi në këtë fillim shekulli.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, në një nga ndërhyrjet e saj, tha se e sheh institucionin e parlamentit si aktor dhe faktor kryesor ku vendoset dhe projektohet e ardhmja.
Topalli e ka shfrytëzuar këtë tryezë për të kërkuar sa më shpejt edhe përfshirjen e parlamentit kosovar në Unionin Ndërkombëtar Parlamentar si dhe pjesëmarrjen e kryetarit të kuvendit të Kosovës në konferencën e tretë botërore të kryetarëve të parlamenteve.
Gjithashtu kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, iu kërkoi homologëve të saj të njohin dhe të lobojnë për njohjen sa më të shpejtë të Kosovës./tvklan.al