Nuk ka ende datë se kur do të nisë

“Në një ditë normale janë rreth 150 mije persona që përdorin transportin publik nga veriu në jug të Shqipërisë. Po prej 3 muajsh nga pezullimi i këtij transporti nuk ka ende një datë se kur mund të rinisë lëvizja”.

Kujtim Mema nga shoqata e transportit ndërqytetas thotë se operatorët janë gati. Distancimi fizik do të kërkojë masa shtesë, po sipas tij kjo kosto nuk do të përkthehet në rritje të çmimit të biletës.

“Do të lëvizim me gjysmë kapaciteti, me maska e doreza, kemi dezinfektuar mjetet dhe kjo do të vazhdojë në çdo rrugë”.

Shoqata e transportit ndërqytetas  në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor kanë hartuar një kërkesë–propozim drejtuar qeverisë për të krijuar lehtësime për nisjen e aktivitetit të tyre.

“Po shikohet të hiqet akciza e naftës, ulja e TVSH mendoj, si dhe falja e taksave bashkiake për këtë vit. Kjo do të na ndihmonte neve të mbijetojmë edhe pse kthimi në normalitet mund të vonojë deri në 3 muaj”.

Kryeministri Rama njoftoi me 6 maj se Drejtoria e Përgjithshme do të mbulojë 100% taksën vjetore për 7204 mjete të transportit publik, por mbetet e paqartë sesa do të zgjasë pezullimi I tyre.

Ky sektor ka rreth  7000 të punësuar të cilët gjatë periudhës së pandemisë kanë pasur vetëm humbje.

Tv Klan