Punimet për hekurudhën Tiranë-Durrës-Rinas do të nisin në fund të këtij viti, ndërsa në 2020 vepra do të ketë përfunduar. Gjatë raportimit në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, Zv/Ministri i Infrastrukturës, Artan Shkreli tha se treni nuk do jetë elektrik, por do të punojë me naftë, ndërsa çmimi i biletës për person do të variojë mes 1 dhe 2 Euro.
Tarifa e kalimit do të vendoset kur grupi i punës të marrë vendimin, nëse operimin e kësaj linje do ta ketë një operator privat apo shteti. Deputetët e mazhorancës kërkuan që projekti i kësaj linje të zbatohet për një tren elektrik, por që kjo të realizohet kërkon një fond shtesë prej 12 milionë eurosh.
Autoritetet parashikojnë që fluksi i kalimeve përmes kësaj linje 34 kilometra të gjatë të arrijë në 500 mijë persona në muaj. Vepra është financuar me një grant të Bashkimit Europian dhe një kredi të butë nga BERZH, ndërsa qeveria ka marrë përsipër të paguajë 16 milionë euro për ekspertizën dhe shpronësimet. Fatura e plotë e saj arrin 90 milionë euro.
Tv Klan