Fati i Donald Trumpit do të kishte qenë krejt ndryshe nëse nuk do të ishte rizgjedhur President.

Në një raport për Kongresin, që u bë publik të hënën pas mesnate, prokurori i posaçëm Jack Smith thotë se zyra e tij gjeti prova të mjaftueshme për të ngritur padi dhe për të siguruar një dënim në gjyq të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, në lidhje me përpjekjet për të përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020.

Prokurori i posaçëm Smith shprehet në raport se Trump “u përfshi në një seri përpjekjesh të kundërligjshme për të siguruar pushtetin”, pasi u bë e qartë se kishte humbur dhe se rrugët e ligjshme për të sfiduar rezultatin nuk i kishin dhënë të drejtë.

Prokurori i posaçëm thotë se Trump veproi si në cilësinë e tij personale si kandidat për president, ashtu edhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve të shumtë, dhe u përpoq të përdorte “fuqinë dhe autoritetin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të mbështetur skemën e tij”.

Raporti thotë më tej se pretendimet e tij të pavërtetuara, të tilla si votat e shumta të hedhura në emër të personave të vdekur, ose nga persona që nuk kishin të drejtën e votës, apo se makinat e votimit patën ndryshuar votat e hedhura për zotin Trump në vota për zotin Biden, ishin “në mënyrë të dukshme dhe, në shumë raste, qartazi false”.

Trumpi iu përgjigj publikimit të raportit me një postim në “Truth Social”, duke e quajtur zotin Smith “një prokuror të çuditshëm”.

Gjykata e Lartë vendosi gjithashtu në Korrik se presidentët kanë imunitet të gjerë nga ndjekja penale për akte zyrtare, të cilat zbutën përpjekjet e prokurorit Smith në çështjen për ndërhyrje në zgjedhje.

Klan News