A do të futet Shtëpia e Bardhë në karantinë?

Krejtësisht i shkujdesur, qytetari numër 1 i Shteteve të Bashkuara u hidhte kapele dhuratë mbështetësve të tij gjatë një tubimi në Minesota të enjten. Vetëm pak orë më vonë, Donald Trump njoftoi në Twitter se së bashku me bashkëshorten Melania kishin rezultuar të infektuar me Covid-19. Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se do të izolohet në karantinë me së bashku me Zonjën e Parë duke u shprehur i bindur se infektimin do ta kalojnë shumë shpejt.

Çifti presidencial iu nënshtrua testimeve për koronavirusin menjëherë pasi këshilltarja për çështjet politike në Shtëpinë e Bardhë, Hope Hicks rezultoi pozitive, siç e njoftoi edhe vetë Trump në një postim të mëhershëm në Twitter.

Sipas mediave amerikane, Covid-19 është sëmundja më e rrezikshme në historinë e vendit që prek një president. Ekziston mundësia që e gjithë Shtëpia e Bardhë të izolohet në karantinë, pasi këshilltarja Hicks ashtu si edhe çifti presidencial kanë pasur kontakte me pjesën më të madhe të stafit. Kjo mund të paralizojë vendimmarrjen presidenciale me një kosto që shtrihet në shkallë globale për Shtetet e Bashkuara.  

Pas deklarimit të Trump si infektuar, testimit i është nënshtruar edhe rivali demokrat Joe Biden, i cili pati kontakt të afërt me të pa maska në debatin e të martës. Por Biden tha se kishte rezultuar negativ së bashku me bashkëshorten e tij.

Tv Klan