Bylis nuk ka humbur kohë për trajnerin e ri. Pas dorëheqjes së Nevil Dedes, në stolin e ballshiotëve do të ulet Genatian Mezani.
Njoftimi zyrtar ka ardhur nga vetë klubi Bylisit, që njofton emërimin e teknikut 45-vjeçar. Mezani e njeh mirë kampionatin shqiptar, pasi ka drejtuar Flamurtarin, Laçin dhe Luftëtarin, ndërsa aventurën e fundit e kishte në Kosovë, te Gjilani.
“Pas dorëheqjes së trajnerit Nevil Dede, FK Bylis ka kënaqësinë të njoftojë zyrtarizimin e trajnerit të ri Gentjan Mezani. Trajneri Mezani ka eksperiencë në drejtimin e shumë ekipeve tona të Superiores, por edhe në elitën e futbollit kosovar.
FK Bylis i uron mirëseardhjen trajnerit të ri Mezani dhe njëkohësisht falënderon Nevil Deden për kontributin e dhënë në drejtimin e skuadrës sonë. Puna vazhdon, më të bashkuar se kurrë në realizimin e synimeve tona”, shkruan klubi.
Pas 24 javëve kampionat, Bylis renditet në vendin e shtatë, me 24 pikë të grumbulluara dhe synimi është mbijetesa në elitë. /tvklan.al