Rinumërimi me dorë i votave në shtetin federal të Georgia-s, për presidentin amerikan Donald Trump nuk ka asnjë vlerë. Në një postim në Twitter, shefi i Shtëpisë së Bardhë del kundër vendimit të administratës së këtij shteti federal që drejtohet nga republikanët.
Rinumërimin në Georgia, ai e quan të rremë, pasi kërkon shqyrtimin e të gjitha nënshkrimeve në fletët e votimit, duke hedhur dyshime se një pjesë e tyre janë të manipuluara.
Georgia konsiderohet si bastion i republikanëve, teksa në zgjedhjet e 3 Nëntorit, Biden mori një avantazh me rreth 14 mijë vota, me një diferencë me vetëm 0.3%.
Trump thotë se demokratët kanë manipuluar zgjedhjet, duke përdorur kryesisht votat me postë. Ai thotë se do të kërkojë hetime për manipulim zgjedhjesh në të paktën 6 shtete federale me qëllimin për ta dërguar çështjen në gjykatën supreme, ku shpreson në përcaktimin e tij si president edhe për një tjetër mandat falë mbështetjes së shumicës së gjykatësve të përzgjedhur nga administratat republikane.
Tv Klan