Presidenti i zgjedhur Donald Trump sërish ka përshkallëzuar retorikën e tij për të dëbuar emigrantët e paligjshëm që kanë mbërritur në SHBA.
Trump e bëri të qartë gjatë intervistës me moderatoren Kristen Welker në “Meet the Press” se premtimi i tij për të dëbuar miliona individë që kanë ardhur në vend në mënyrë të paligjshme nuk ishin premtime të kota gjatë fushatës.
“Nuk ke zgjidhje tjetër. Ne po fillojmë me kriminelët dhe më pas ne po fillojmë me të tjerët dhe do të shohim se si do të shkojë.”
Ai sugjeroi se do të përpiqej të përdorte urdhra ekzekutivë për t’i dhënë fund shtetësisë automatike për ata që lindin në territorin e Shteteve të Bashkuara, megjithëse ky ligj është i mbrojtur me Kushtetutë. I pyetur në mënyrë specifike për të ardhmen e njerëzve që u sollën ilegalisht në vend si fëmijë dhe që janë mbrojtur nga dëbimi në vitet e fundit, Trump tha se do të gjejë një zgjidhje për ata duke sinjalizuar se ai mund ta bëjë këtë në bashkëpunim me Kongresin.
Ndër të tjera në intervistë presidenti i zgjedhur ka kërcënuar vendosjen e tarifave tregtare në shkallë të gjerë, por tha se nuk besonte në parashikimet e ekonomistëve se kostot e shtuara për ato mallra të importuara do të shkaktonin rritjen e çmimeve për konsumatorët amerikanë.
Ai është zotuar se në ditën e tij të parë në detyrë në Janar, do të vendosë tarifa me nivel 25% për të gjitha mallrat e importuara nga Meksika dhe Kanadaja, nëse ato vende nuk frenojnë emigracionin e paligjshëm dhe hyrjen e drogave të paligjshme. Trump gjithashtu ka kërcënuar me tarifa Kinën, nëse Pekini nuk përmbushë angazhimet e tij për të goditur rrjetet e paligjshme të prodhimit të fentanilit.
Mes të tjerash ofroi deklarata kontradiktore mbi mënyrën se si do t’i qaset sistemit të drejtësisë pas fillimit të mandatit. Ai sugjeroi sërish se disa rivalë politikë dhe zyrtarë federalë që e kanë hetuar atë duhet të burgosen.
“Sinqerisht, ata duhet të shkojnë në burg”, tha Trump për anëtarët e Kongresit që hetuan trazirat e Kapitolit nga mbështetësit e tij që dëshironin që ai të mbetej në pushtet. Trump konfirmoi planin e tij për të falur mbështetësit që u dënuan për rolin e tyre në sulmin ndaj Kapitolit, duke thënë se ai do ta bënte këtë që në ditën e tij të parë në detyrë.
Klan News