Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe negociata midis Ukrainës dhe Rusisë për t’i dhënë fund sipas tij “çmendurisë”. Trump i bëri komentet e tij pasi takoi Zelenskiy në Paris për bisedimet e tyre të para ballë për ballë që kur fitoi zgjedhjet e muajit të kaluar në SHBA. Presidenti i zgjedhur është zotuar të sjellë një fund të negociuar të konfliktit, por deri më tani nuk ka dhënë detaje.
“Zelensky dhe Ukraina do të donin të bënin një marrëveshje dhe të ndalonin çmendurinë. Kievi kishte humbur rreth 400,000 ushtarë. Duhet të ketë një armëpushim të menjëhershëm dhe të fillojnë negociatat. Unë e njoh mirë Vladimirin. Është koha e tij për të vepruar. Kina mund të ndihmojë. Bota po pret”.
Nga Parisi, Trump dhe Zelenskiy shtrënguan duart dhe buzëqeshën, por është e paqartë se si kishte shkuar biseda. Zelenskiy gjithashtu në një reagim pas thirrjes së Trump u shpreh se paqja nuk duhet të jetë thjesht në një copë letër, por ka nevojë për garanci.
“Kur flasim për paqe efektive me Rusinë, në radhë të parë duhet të flasim për garanci efektive për paqen. Ukrainasit duan paqen më shumë se kushdo tjetër. Një armëpushim pa garanci nuk mund të ketë”, tha ai në X.
Nga ana tjetër, Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Rusia ishte e hapur për bisedime, por ato duhej të bazoheshin në marrëveshjet e arritura në Stamboll në vitin 2022 dhe në realitetet aktuale në fushën e betejës.
“Pozicioni ynë për Ukrainën është i qartë. Kushtet për ndalimin e menjëhershëm të armiqësive u vendosën nga Presidenti Putin në fjalimin e tij në Ministrinë e Jashtme ruse në qershor të këtij viti. Është e rëndësishme të kujtojmë se ishte Ukraina ajo që refuzoi dhe vazhdon të refuzojë negociatat”.
Putin ka thënë se Ukraina nuk duhet të bashkohet me aleancën ushtarake të NATO-s dhe se Rusia duhet të lihet plotësisht nën kontrollin e katër rajoneve të Ukrainës që trupat e tij kontrollojnë pjesërisht në këtë moment për të arritur një marrëveshje paqeje.
Klan News