Donald Trump mbajti një tubim në kompleksin shumë-funksional “Madison Square Garden” të Nju Jorkut, shtet që për herë të fundit ka mbështetur një president republikan në 1984. Ish-presidenti foli për planet e tij për të ndalur imigracionin e paligjshëm nëse fiton zgjedhjet e 5 Nëntorit.
“5 Nëntori 2024 do të jetë dita e çlirimit në Amerikë. Që në ditën e pare si president, unë do të nis programin më të madh të dëbimit në historinë amerikane. Nëse i nxjerrim kriminelët, unë do të shpëtoj çdo qytet dhe fshat që është pushtuar nga ata.”
Trump u kërkoi të pranishmëve të hedhin votat e tyre për t’i dhënë fund administratës së presidentit Joe Biden për t’i dhënë fund problemeve me emigracionin, por edhe ekonominë.
“Pra, nëse doni t’i jepni fund kësaj fatkeqësie, duhet të dilni dhe të votoni. Thjesht dilni dhe votoni. Duhet të bësh.”
Fjalimet e bëra nga mbështetësit e Trump në këtë ngjarje kanë marrë kritika të forta. Komediani Tony Hinchcliffe, iu referua Porto Rikos si një “ishull i plehrave”.
Ka patur reagime të ndryshme nga latinët në mediat sociale. Mes tyre është këngëtari portorikan Ricky Martin, i cili u tha fansave të tij: Kjo është ajo që ata mendojnë për ne.
Për shkak të kritikave ekipi i Trump u detyrua të lëshonte një deklaratë duke e distancuar kandidatin republikan nga shakaja nënçmuese.
Nga ana tjetër kundërshtarja e tij Nënpresidentja Kamala Harris ishte në Filadelfia, qyteti më i madh i Pensilvanisë dhe një bastion i demokratëve që ata duan ta fitojnë me patjetër.
Ajo u ndal tek një biznes i vogël në pronësi të një afrikano-amerikani, si dhe një tjetër në pronësi të një portorikani, me qëllim për të rritur mbështetjen tek votuesit latinë.
“Këtu në Pensilvani tani, secili prej nesh ka një mundësi për të bërë një ndryshim, sepse në këtë moment, ne përballemi me një pyetje të vërtetë, në çfarë lloj vendi duam të jetojmë?”
Harris, e cila mbajti një miting me Bruce Springsteen në Atlanta të enjten dhe me Beyonce në Hjuston të premten, do të mbajë një tjetër tubim, në Uashington, ku do të nxjerrë në pah dallimet midis saj dhe Trump.
Klan News