Turi i llogaridhënies në Bashkinë Tiranë u ndal kësaj here në Bërzhitë, ku kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Ministri për Financat dhe Ekonominë, Arben Ahmetaj dhe deputetët e PS, Blerina Gjylameti dhe Xhemal Qefalia, bashkëbiseduan me banorët e zonës për projektet infrastrukturore dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Veliaj theksoi se gjatë kësaj kohe është rikthyer vëmendja te zonat rurale, ndërsa vlerësoi reformën administrative-territoriale të qeverisë, e cila sipas tij, ka rritur mundësitë e investimeve në fshatra.

“Ideja e Kryeministrit për reformën territoriale, për ta zgjeruar Tiranën, ishte një nga idetë më të mira sepse për të bërë një shkollë në fshatin Mihajas me taksat e 400 banorëve, do të duheshin 82 vjet. Reforma i dha mundësi bashkisë të vjelë taksa në zona urbane dhe të investojë edhe në zonat rurale. Kësisoj, të bëjë në një kohë më të shkurtër, disa gjëra që nuk do ishin bërë për 80 vjet”,

u shpreh ai.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se me përfundimin e një sërë investimesh të mëdha, tashmë radhën e kanë zonat periferike. “Në këto tre vite mbaruam punët e mëdha që nuk ishin bërë prej vitesh. Kishte mbetur sheshi, kishte ngecur pazari, kishte ngecur bulevardi, kishin ngecur shumë shkolla në Tiranë. Tiranën e kemi gjetur me shkolla me dy turne dhe një pjesë të madhe të shkollave e kemi shpëtuar nga dy turnet. Pra, për të gjitha këto arsye, them se jemi në një situatë kur ka ardhur radha e fshatit”, tha kryebashkiaku.

Veliaj u ndal edhe në çështjen e investimeve për furnizimin me ujë të popullsisë, ku siguroi banorët se bashkia po ndërhyn në mjaft zona për të përmirësuar infrastrukturën. Ai theksoi se me rritjen e arkëtimeve si pasojë e mirëmenaxhimit të financave, bashkia ka më shumë mundësi që të investojë dhe të ndërhyjë atje ku nuk ishte vënë dorë prej vitesh.

Morëm një ujësjellës, ku nuk bëheshin mbi 40% e pagesave. Uji harxhohej për ujitjen e misrit, ndërsa këtu lart nuk vinte ujë. Tani që i kemi çuar arkëtimet 98.5 % e faturimeve, Ministria e Financave na autorizoi të marrim kredi nga BERZH-i”,

u shpreh Veliaj, teksa shtoi se rehabilitimi i infrastrukturës në zonat rurale ka rritur potencialin e tyre ekonomik dhe turistik, duke sjellë për rrjedhojë më shumë të ardhura për banorët.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, shprehu angazhimin e qeverisë për të mbështetur përmirësimin e infrastrukturës në zonat rurale. Ai deklaroi se falë reformave të ndërmarra nga qeveria në këto pesë vite është bërë i mundur jo vetëm që në Shqipëri të mos përsëritet skenari grek në ekonomi, por edhe përmirësimi i klimës së biznesit dhe e barrës.

Mos harroni se kur morëm detyrën në 2013, Shqipëria ishte në prag të falimentimit. Kur kemi thënë në 2013 se Shqipëria rrezikohet nga një krizë si kriza greke, e kushdo që e ka dëgjuar nga ju ka thënë: Po këta, çfarë po thonë?! E dini çfarë do të thotë? Do të thotë se nëse do të ishim pre e asaj krize, e cila fatmirësisht falë përgjegjshmërisë tonë nuk u bëmë, por përkundrazi e lamë pas, do të thotë se dikush që merrte 500 të vjetra, nëse do të kalonte vendin në krizë do të merrte 200 të vjetra. Nëqoftëse do të kishte një pension 150 lekë, pensioni do t’i katandisej 50 lekë”,

u shpreh Ahmetaj, teksa shtoi se kjo qeveri është votuar për të mbështetur të gjithë klasën e mesme dhe të gjithë qytetarët në nevojë. /

tvklan.al