Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për 13 të akuzuar për mashtrim me vlerë rreth 7 milion Euro të shtetasve gjermanë përmes ‘call center’-ave.
SPAK kërkoi këtë të hënë dënimin me 9 vite heqje lirie për Erjon Kasmin, që konsiderohet personi kyç në grupin kriminal, i akuzuar për mashtrim kompjuterik dhe për krijim të grupit të struktura kriminal.
Për Xhulian Xhafën i akuzuar për “Mashtrim kompjuterik”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, kërkohet dënimi me 8 vjet e 6 muaj.
Gjithashtu pretenca u dha edhe për 11 të akuzuarit e tjerë ku u kërkuar shërbim prove.
Pretenca e SPAK parashikon përllogaritjen e zbritjes së 1/3 së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Organi i akuzës ka sekuestruar më herët disa llogari bankare mes të cilave shumën prej 588 mijë Euro në emër të Erjon Kasmit si dhe 20 milionë Lekë në emër të Xhulian Xhafës.
Gjithashtu një tjetër llogari me shumën e 1.5 milionë eurove iu sekuestrua Erjon Kasmit në Kosovë. Sekuestro preventive është vendosur edhe për 9 apartamente, 3 garazhde, 2 ndërtesa dhe 5 sipërfaqe toke me rreth 6 mijë metra katror tokë.
Hetimet për këtë grup kriminal nisen në Gjermani. Sipas burimeve, autoritetet atje të drejtësisë u vunë në lëvizje nga një person i cili ka bërë një kallëzim duke theksuar se është mashtruar për të investuar në bursa, por më pas parat e tij ishin zhdukur.
Klan News