Shtetet e Bashkuara mbajnë frymën teksa uragani “Gustav”, tani i kategorisë dy, mbërriti në breg dhe i është afruar jugperëndimit të Nju Orleans.

Qendra e uraganit që në det arriti në kategorinë pesë është në Luiziana, ku ka zbrazur shira dhe erëra të fuqishëm.

“Gustav”, i cilësuar si stuhia e shekullit, tani i dobësuar, po avancon me një shpejtësi prej 25 kilometrash në orë dhe shoqërohet me përmbytje, reshje të dendura dhe erëra të fuqishme që arrijnë 175 kilometra në orë.

Nju Orleans që ka akoma të freskët ankthin e “Katrinës” së tre viteve më parë është boshatisur.

Mbi 2 milion persona janë evakuuar, ndërsa 10 mijë të tjerë kanë vendosur të sfidojnë uraganin monstër.

Pavarësisht se ka humbur pak fuqinë e vet autoritetet paralajmërojnë se furia e “Gustav” mund të jetë katastrofike.

Ekspertët parashikojnë se niveli i ujit do të ngrihet nga 3 në 4.25 metra deri të enjten dhe mund të ketë tornado në zonën qendrore të bregdetit të gjirit dhe se baticat do të jenë deri në 4 metra më të larta se zakonisht.

Qindra mijëra banesa kanë mbetur pa energji elektrike dhe fragmentet filmike televizive tregojnë se disa ndërtesa janë dëmtuar tashmë nga erërat.

Zyrtarët i druhen faktit se uragani “Gustav” mund të dëmtojë digat në bregdetin perëndimor, të cilat ende nuk janë përforcuar.

Deri tani numri i viktimave të “Gustav” në rrugëtimin e tij në Xhamajka, Haiti, Kubë dhe Republika Domenikane është 94.

Për shkak të tij Partia Republikane ka ulur ndjeshëm numrin e aktiviteteve të ditës së hapjes së konventës.

Senatori John McCain, që pritet të pranojë kandidimin për president nga partia e tij, tha se nuk është koha për politika partiake./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle