“Qëllimi i “flamurit të bardhë” është nisja e bisedimeve”
Pas furtunës së reagimeve kundër që shkaktoi thirrja e Papa Françeskut, që Ukraina të ngrejë “flamurin e bardhë” për t’i hapur rrugë paqes me Rusinë, Vatikani po bën përpjekje për të qartësuar qëndrimin.
Sekretari i shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin në një intervistë për të përditshmen “Corriere della Sera”, shprehet se kushti i parë për arritjen e paqes është që Rusia t’i japë fund luftës ndaj Ukrainës.
Parolin shprehet se fjalët e përdorura nga Papa Françesku ishin inkurajim për krijimin e kushteve për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë, për t’i hapur rrugë bisedimeve të paqes që do t’i jepnin fund luftës dhe vuajtjeve njerëzore dhe se “flamuri i bardhë” në këtë rast nuk është dorëzim por kurajë.
Sipas sekretarit të Shtetit të Vatikanit, këto fjalë shërbejnë jo vetëm për Ukrainën por edhe për luftën në Lindjen e Mesme, për t’i dhënë fund humbjes së mijëra jetëve njerëzore.
Thirrjet e Papa Françeskut janë bërë pasi Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski nuk pranon të ulet në bisedime me Moskën, duke i vendosur si kusht të padiskutueshëm, fillimisht tërheqjen e ushtarëve rusë nga të gjitha territoret e pushtuara.
Tv Klan