“Mos dëgjoni ata që bëjnë vetëm zhurmë e asnjë punë”
Investimet e bëra në Farkë ishin objekt i inspektimit nga ana e kryebashkiakut Veliaj në kuadër të turit të nisur ditë më parë.
Teksa çeli sezonin e mbjelljeve, Veliaj u shpreh se tashmë Liqeni i Farkës konkurron denjësisht edhe Parkun e Liqenit Artificial.
“Më kujtohet se si ky ishte një vend i kthyer në landfill. Filluam me nga një pemë, nga dy e nga tre, i dëgjuam edhe cinikët e skeptikët ‘jo po nuk bëhet kështu, jo po bëhet ashtu’, por ja ku jemi sot dhe pemët janë bërë dy herë sa unë. Nëse pandemia na mësoi diçka është se duhet të lidhemi me natyrën”.
Sipas Veliajt, kjo administratë do të mbahet mend se i dha Tiranës parkun e dytë liqenor të të njëjtës cilësi.
“Kjo s’është punë partish, as punë politike, kjo s’është punë krahu dhe bindjesh; këtu jemi të gjithë shqiptarë, jemi të gjithë qytetarë të Tiranës, jemi një komunitet, dhe besoj se partia numër një janë familjet tona. Nëse secili jep një kontribut me një pemë për të prodhuar oksigjen për fëmijët e vet, ky është ndoshta akti më i madh i qytetarisë që dikush mund të japë”.
Një tjetër ndalesë e kryebashkiakut ishte edhe kantieri për ndërtimin e shtëpive të reja në fshatin Mjull-Bathore në Farkë.
Tv Klan