Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer këtë të Premte edhe në ish-depozitat e karburantit në Ballsh. Pamjet teksa zjarrfikësit po “luftojnë” me flakët i ka shpërndarë vetë ministri i Brendshëm Taulant Balla.
“Shërbimet zjarrfikëse po punojnë për fikjen e një zjarri në disa ish-depozita lëndë djegëse dhe vendosjen e flakëve nën kontroll”, shkruan ministri.
Ndërkohë sipas gazetares Anila Sefa, depozita që ka shpërthyer në flakë ka pasur mbetje nafte.
“Shkaku i rënies së zjarrit ka qenë sepse një grup pune po kryejnë shkatërrimin e depozitave për skrap. Fatmirësisht nuk ka pasur viktima apo të plagosur”, bën me dije Sefa.
Kujtojmë se rreth orës 16:05 një shpërthim masiv ka ndodhur te “Rrethrrotullimi i Plasmasit” në Lushnje, duke i marrë jetën një personi e duke lënë të plagosur 8 të tjerë. Siç njoftoi policia, një vinç kishte prekur aksidentalisht linjën e tensionit të lartë, brenda një zone ku po ngrihej objekti në pronësi të deputetit socialist Bujar Çela. Ky i fundit ka mbetur po ashtu i plagosur, ndërsa mësohet se aktualisht është jashtë rrezikut për jetën./tvklan.al