Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Gripi i cili ka përfshirë gjithë vendin, sot ka shënuar viktimat e para. Në Kukës, një burrë dhe një grua kanë vdekur nga epidemia e gripit toksik. Sipas ATSH, mbrëmjen e djeshme ka vdekur 46-vjeçari Hamdi Halimi, ndërsa sot ka vdekur një 28-vjeçare nga Hasi. Në spitalin e Tiranës, shefi i klinikës infektive, Dhimitër Kraja, shpjegon simptomat.

Doktor Dhimitër Kraja:- “Gripi toksik është një nga format e rënda të infeksionit nga virusi i gripit. Karakterizohet nga shenjat që ka një grip i zakonshëm, por këto shenja janë mjaft më të theksuara. Gripi toksik mund të prekë njerëz të ndryshëm, kryesisht janë subjektet me sëmundje kronike, apo me një imunitete të dobët”.

Gripi toksik ka një përqindje të ulët të rasteve, ndërsa në Korçë, si rezultat i rënies së gripit, janë parë mungesa në shkolla e kopshte. Kështu drejtori i epidemiologjisë në këtë qytet lajmëron mbylljen e tre konvikteve të shkollave të mesme në Korçë. Ndërkohë që viktimat e para të gripit janë shënuar, Ministria e Shëndetësisë ende nuk e konfirmon./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti