Pas 17 vitesh “Topi i Artë” do të rikthehet në Brazil. Është ky lajmi i bujshëm që vjen nga mediat spanjolle, të cilat shfaqen të sigurtë që trofeu i lojtarit më të mirë do të fitohet nga një futbollist i Seleçaos. Duke iu referuar gazetës “Marka”, Vinicius Junior do të jetë pasues i Lionel Messit për çmimin më të rëndësishëm individual në botën e futbollit.
Sipas saj, braziliani i Real Madrid do të ngjitet në majën më të lartë të futbollit mbrëmjen e 28 tetorit në Paris për të fituar trofeun prestigjioz. Një mposhtje e konkurrencës, për të lënë pas krahëve emra si Belingam, Karvahal, Mbape dhe Rodri. Në rast se një gjë e tillë do të bëhej realitet, çmimi që duke nisur nga ky sezon akordohet nga UEFA do të fitohej sërish nga një brazilian. Hera e fundit që ndodhte ishte viti 2007, ku asokohe triumfoi Kaka, për t’u pasuar më pas nga hegjemonia, Messi me 8 trofe individual dhe Ronaldo me 5.
Vetëm Modriç e Benzema thyen këtë dyshe e cila duket se këtë sezon e ka shumë të vështirë për të qenë edhe në mesin e pretendentëve për Topin e Artë. Vinisius Junior ndihmoi Real Madrid për të fituar trofeun e La Ligës dhe Champions League si protagonist, me gjashtë gola dhe 5 asiste. Ndërsa këtë vit kontribuoi në fitoren e Superkupës Europiane kundër Atalantës dhe Superkupën e Spanjës. 24-vjeçari është shndërruar në pikë kyçe te gjiganti spanjoll, që prej kalimit të tij në Madrid në vitin 2018.
Klan News