Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen thotë se nëse gjërat ecin siç duhet, do të hapen të gjithë grup-kapitujt deri në fund të vitit të ardhshëm. Në një konferencë të përbashkët me Kryeministrin Rama, Von der Leyen ka theksuar se me Shqipërinë gjërat në rrugën drejt integrimit në BE kanë ecur shpejt.

Pyetje: Ne këtu në Shqipëri, por besoj dhe në të gjithë hapësirën e Ballkanit Perëndimor e njohim kontributin tuaj personal për t’i dhënë një shtysë procesit të anëtarësimit dhe të integrimit. Tani ne kemi hapur dhe kapitujt e parë të negocimit. Mesa ju kam ndjekur, ju jeni ndër të paktat zyrtare të BE-së që nuk jepni një afat konkret për anëtarësimin, të paktën për Shqipërinë, por edhe për vendet e tjera. Për ju, a është 2030 një afat i mundshëm për anëtarësimin?

Ursula von der Leyen: Ne bashkëpunojmë me Shqipërinë. Procesi varet nga meritat e çdo vendi dhe është shumë e rëndësishme kjo dhe për vendet anëtare. Me Shqipërinë kemi një shembull vërtet të shkëlqyer, gjerat kanë ecur shpejt dhe nëse gjërat do të ecin siç duhet, ne ndoshta do të hapim të gjithë grup-kapitujt deri në fund të vitit të ardhshëm. Është një plan ambicioz, ka nevojë për shumë punë, prandaj ka arsye që të mos kemi një datë të saktë. Ky proces varet nga merita e çdo vendi.


/tvklan.al