Wuhani ka ndaluar tregtimin, konsumimin si dhe gjuetinë e kafshëve të egra si një masë parandaluese për Covid-19.
Sipas asaj që raporton BBC, ky ndalim përfshin konsumin e çdo lloj kafshe të egër apo gjallese deti që janë në listën e ruajtjes. Rregulli vlen edhe për ato kafshë që janë të rritura jashtë habitatit të tyre natyror.
Në Janar, Kina ndaloi përkohësisht tregtinë e kafshëve të egra siç bëri gjatë epidemisë së Sarsit. Ndërsa në muajin Mars qeveria ndaloi plotësisht tregtinë e paligjshme të kafshëve të egra për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e njerëzve. Por më vonë në bazë të disa raporteve u zbulua se kafshët e egra filluan të tregtoheshin sërish.
Kur pandemia e Covid-19 filloi të përhapej, shumë shkencëtarë dhe ekspertë hodhën hipotezën se virusi ka ardhur nga konsumimi i mishit të qenit dhe lakuriqëve të natës.
Për këtë arsye një pjesë e madhe e tregjeve u mbyllën, por më vonë kjo u rrëzua nga OBSH dhe shumë mjekë pasi nuk kishte prova që e vërtetonin këtë gjë.
Ndërkaq, pas Wuhanit një tjetër vatër e re është bërë epiqendra e përhapjes së virusit vdekjeprurës. Në qytetin Shulan janë vendosur kufizime si ato që u vendosën në fillim të vitit në Wuhan dhe Hubei. Autoritetet kanë vendosur masa të ashpra për këdo, duke ndaluar daljen nga shtëpia dhe gjobë për ata që shkelin karantinën.
Gjithashtu shkollat janë mbyllur dhe të gjitha llojet e transportit janë të pezulluara deri në një urdhër të dytë nga autoritetet e Shulanit. Shulan ndodhet në provincën verilindore të Jilin, në kufirin me Rusinë dhe Korenë e Veriut ku banojnë afërisht 700 mijë njerëz.
Gjatë kësaj jave në këtë qytet janë regjistruar 34 infektime të reja duke e çuar numrin e përgjithshëm në 98 nga Covid-19. Deri më tani vetëm 1 person ka ndërruar jetë.
Përhapja alarmante e infeksionit në këtë qendër urbane ka bërë që institucionet të ndalojnë edhe udhëtimet nga provinca në provincë. Në Kinë aktualisht janë konfirmuar vetëm 82.960 të prekur që nga fillimi i pandemisë, ku 4634 kanë humbur jetën.
Klan Plus