Ermal Meta, Dua Lipa, Olen Cesari, Inva Mula, Kledi Kadiu, Genc Tukiçi, Ramë Lahaj, Elhaida Dani, Lorik Cana, Eno Peci, Erza Muqolli, një kast i yjeve shqiptarë për koncertin “Të bashkuar në muzikë dhe në kujtimin e Skënderbeut”. Kështu nis një shkrim i agjencisë italiane të lajmeve ANSA që i bën jehonë organizimit të Ambasadës së Shqipërisë në Selinë e Shenjtë mbrëmjen e së hënës në Teatrin “Argentina” të Romës. Do të jetë kardinali Pietro Parolin, sekretar shteti i Vatikanit që do ta çelë ceremoninë. Ajo organizohet me rastin e mbylljes së vitit kombëtar të Skënderbeut dhe do të shoqërohet me një takim me Papa Françeskun.
Ishte ambasada e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë që shpalli ceremonitë për 550-vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut, i njohur si kalorës i Krishtërimit apo mbrojtës i fesë, i pagëzuar kështu nga Papët Romanë. ANSA shkruan se Skënderbeu është konsideruar personazhi më i rëndësishëm i historisë së Shqipërisë, simbol i unitetit dhe forcës së kombit që në të gjitha kohët i ka bashkuar shqiptarët pa dallim feje. Për ta kujtuar atë, “bijtë e Shqipërisë” mblidhen në Romë të hënën dhe të martën.
Ambasada shqiptare në Vatikan bën të ditur se Skënderbeu do të kujtohet edhe nga vetë Selia e Shenjtë. Papa Françesku ka pranuar kërkesën e ambasadores shqiptare në Vatikan, Majlinda Dodaj të presë një audiencë speciale përfaqësuesit e popullit shqiptar pasditen e së hënës për të kujtuar së bashku heroin kombëtar shqiptar. Mes përfaqësuesve të shqiptarëve do të jetë edhe kardinali Ernest Simoni, prifti i vetëm ende në jetë i persekutuar nga diktatura komuniste, shkruan ANSA.
Do të jenë të pranishëm edhe autoritete si kreu i parlamentit shqiptar, Gramoz Ruçi me një grup deputetësh, ministri i Diasporës, Pandeli Majko, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla si dhe përfaqësues të besimeve të ndryshme në Shqipëri. Nuk do të mungojë komuniteti italo-shqiptar me epishkopin e Kalabrisë Monsinjor Donato Oliverio si dhe Monsinjor Giorgio Gallaro nga arbëreshët e Siçilisë.
ANSA shkruan se në vitin 1968, në 500-vjetorin e vdekjes së heroit, shqiptarët e diasporës u mblodhën në Vatikan te Papa Shën Pali VI, një përvjetor që e gjente Shqipërinë nën diktaturën komuniste. Tani, për herë të parë, përfaqësues të popullit shqiptar, një grup rreth 200 personash do të mund të takojnë Papa Françeskun. Mëngjesin e së martës delegacioni shqiptar do të pritet edhe në pallatin magjistral të Urdhrit Sovran të Maltës, me të cilin Shqipëria mban marrëdhënie që nga viti 1994.
Tv Klan