Në planetin e Afërditës mund të ketë forma të ndryshme jete. Në këtë përfundim kanë arritur një grup shkencëtarësh të agjencisë hapësinore amerikane NASA, të cilët kanë zbuluar në retë e këtij planeti praninë e gazit fosfinë.
Sipas shkencëtarëve, ky lloj gazi është tepër i përhapur në Tokë dhe prodhohet nga baktere që rriten në mjedise ku ka mungesë oksigjeni. Ky fakt ngjall dyshime se ky planet mund të jetë i populluar nga lloje të ndryshme mikrobesh.
Zbulimi është kryer përmes vëzhgimeve me teleskopë dhe rezultatet e studimit janë publikuar në revistën shkencore “Nature”.
Shkencëtarët thanë se Afërdita mund të shndërrohet në objektivin e radhës të studimeve për mundësinë e zhvillimit të jetës jashtë planetit tonë.
Afërdita është lënë jashtë vëmendjes për shkak se të gjitha përpjekjet janë përqëndruar tek Marsi, ku dihet se dikur kanë ekzistuar të gjithë përbërësit e nevojshëm për zhvillimin e jetës.
Afërdita është planeti më i afërt fqinj i Tokës dhe është i ngjashëm në strukturë, pavarësisht se është i mbuluar nga gazra toksikë.
Tv Klan