Lajme Arkiva 2003

Fitorja e Gjergj Goros në Bashkinë e Himarës, pas përsëritjes së votimeve në katër qendra mund të ngjajë për mazhorancën aktuale si fitorja e Pirros.

Frika nga një fenomen i tillë e ndjeu i pari kryeministri Nano , i cili menjëherë pas zhurmës së krijuar kërkoi ndëshkimin e fajtorëve dhe tha se nuk i interesonte një proces zgjedhor jo i drejtë.

Po kështu pas kërkesës së tij edhe strukturat e Partisë Socialiste po ngurojnë të njohin plotësisht rezultatin e zgjedhjeve në Himarë, por si gjithnjë Nano dhe strukturat e varura prej tij kujtohen ti rikuperojnë dëmet dhe jo ti parandalojnë ato.

Ekzekutivi u vu në lëvizje madje Ministri i Drejtësisë doli në mbrëmje vonë në ekrane vetëm pas deklaratave të Papandreut dhe qëndrimit kritik të Bashkimit Evropian për incidentet në Himarë.

Ndërkohë që mund të ishte ndjekur një rrugë tjetër pa i politizuar zgjedhjet në Himarë duke i lënë të izoluar 10-15 greqishtfolës të ardhur nga Athina duke shmangur grykësinë që çoi në një rezultat 250 me 0 në favor të kandidatit të Partisë Socialiste si ai i Qeparosë, ku kandidati i dy partive të forta në zonë, partia Bashkimi i të Drejtave të Njeriut dhe Partia Demokratike nuk paska marrë asnjë votë.

Mungesa e strategjisë, papërgjegjshmëria në votime, moskontrolli i strukturave të caktuara dhe etja e tepruar kanë bërë që sot një çështje e drejtë si ajo e Himarës të kthehet në disfavorin tonë.

Bashkimi Evropian rrezikon të na përcaktojë si një vend pa standarde demokratike apo edhe si nacionalist, ndërkohë që e vërteta është krejt tjetër./tvklan.al