Ndikimi rus po jep efekte në zgjedhjet e disa vendeve të Europës Lindore brenda dhe jashtë Bashkimit Europian.
Në Gjeorgji, partia qeverisëse e themeluar nga biznesmeni pro-rus Bidzina Ivanishvili fitoi 54% të votave në zgjedhjet e të Shtunës. Asnjëra nga partitë opozitare nuk arriti të sigurojë më shumë se 11%. Ato akuzuan qeverinë për manipulim të votave. Largimi i qeverisë pro-ruse do t’i mundësonte Gjeorgjisë përshpejtimin e hapave drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Partia pro-ruse e ekstremit të djathtë “Rigjallërimi” në Bullgari pritet të renditet ndër 3 grupimet më kryesore në zgjedhjet parlamentare të kësaj të Diele.
Sondazhet parashikojnë që partia GERB e ish-kryeministrit Bojko Borisov të marrë një shumicë të pamjaftueshme për të qeverisur, duke vazhduar sagën e qeverive jetëshkurtra të nisur në 2020-ën, por ku ka fuqizim të vazhdueshëm të pro-rusëve.
Ndërsa në Lituani ku mbahet raundi i dytë i parlamentareve, pro-rusët nuk përbëjnë faktor me rëndësi dhe nuk pritet të marrin asnjë deputet.
Në Moldavi, hetuesit thanë se biznesmeni pro-rus Ilan Shor kishte përdorur 24 milionë dollarë për të blerë zgjedhjet e dyfishta të të Dielës së kaluar, duke bërë që në referendumin për vazhdimin e rrugës europiane të triumfonte me 0.1% avantazh “Pro-ja”. Ndërsa presidencialet do të përcaktohen në balotazhin e 3 Nëntorit.
Tv Klan