Sektori i Krimeve Kibernetike në Policinë e Tiranës ka arrestuar një 36-vjeçar me iniciale E.V., i cili ndërhynte në mënyrë ilegale në sistemet operative të celularëve duke përvetësuar të dhënat kompjuterike të këtyre pajisjve, përfshirë këtu dhe sistemin online iCloud të telefonave iPhone.
36-vjeçari akuzohet për “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”, “Keqpërdorimi i pajisjeve”, “Ndërhyrja në të dhënat e topografisë së qarkut të gjysmë përçuesit”, dhe “Shitja e paautorizuar e kartave SIM”.
36-vjeçari dyshohet se nëpërmjet pajisjeve elektronike të posaçme, programeve të palicencuara, të cilat shiten në tregun e zi online, i quajtur ndryshe DarkWeb, si dhe nëpërmjet gjenerimit të numrave të telefonit të shteteve të ndryshme nga programe specifike online, ka ndërhyrë në të dhënat kompjuterike të sistemeve operative të aparateve celularë. Kështu, ky shtetas ka arritur që të thyejë elementët e sigurisë të tyre, dhe më pas ka marrë në posedim të dhënat kompjuterike, të përdoruesve të mëparshëm dhe kthimin në gjendje fillestare të smartphoneve me qëllim shitjen e tyre.
Deri tani janë dokumentuar me prova ligjore 473 përvetësime të fjalëkalimeve të ndryshme.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë, të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
/tvklan.al