Kapitali njerëzor, shqetësimi i përbashkët i vendeve të rajonit, i mblodhi këta të fundit në Tiranë në Konferencën Vjetore të Regional Challenge Fund.

Bashkëpunimi mes biznesit dhe arsimit profesional shihet si një zgjidhje e mirë që sjell zhvillim ekonomik dhe nxit të rinjtë që të mos largohen nga vendet e tyre.

“Fokusi i kësaj konference është investimi në zhvillimin e kapitalit njerëzor në Ballkanin Perëndimor me qëllim integrimin në tregun e BE-së, duke vënë theksin në nxitjen e rritjes ekonomike dhe kapaciteteve të forcës punëtore”, tha Olta Manjani, zv/ministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

“Vetëm duke investuar së bashku në arsimin profesional mund të kontribuojmë për të zhbërë hendekun e krijuar në ekonomitë tona”, tha Ines Mucostepa, Forumi i Investimeve të Dhomave të Ballkanit Perëndimor.

“Prioritizimi i edukimit, trajnimet, zhvillimi i aftësive vendos bazat për një shoqëri gjithpërshirëse dhe nxit inovacionin, produktivitetin dhe konkurrencën në nivel global”, tha Andjela Jaksic-Stojanoviç, ministre e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit në Malin e Zi.

Organizatori i konferencës, Regional Challenge Fund një mekanizëm financiar unik i financuar nga qeveritë e Gjermanisë dhe Zvicrës, fokusohet tek rritja e konkurrencës së qëndrueshme të bizneseve në Ballkanin Perëndimor në rrugën drejt tregut të përbashkët të BE-së.

“Ne kemi konstatuar një potencial shumë të lartë njerëzor në këtë rajon, por është e nevojshme të merren masa për ndryshimin dhe evoluimin e metodave të arsimit për t’ju përshtatur nevojave të tregut”, tha Martin Zickendraht, Sekretar i Parë, Ambasada e Gjermanisë në Shqipëri.

E pranishme në konferencën vjetore ishte edhe znj. Hannelore. Kress, Menaxhere e Lartë e Projektit nga Instituti Federal Gjerman për Arsimin dhe Aftësimin Profesional (BIBB),e cila tha është e nevojshme të rritet ndërgjegjësimi dhe ndjeshmëria ndaj arsimit të qëndrueshëm profesional.

Tv Klan