Në seancën e sotme parlamentare mazhoranca dhe opozita ishin njëherazi dakord për marrëveshjen me Italinë për sa i përket skemës së pensioneve.

Nga kjo marrëveshje do të përfitojnë rreth 500 mijë shqiptarë të cilën kanë punuar dhe kontribuar në shtetin italian por nga ana tjetër do të përfitojnë edhe rreth 4 mijë shtetas italianë të cilët aktualisht janë të pajisur me leje qëndrimi në vendin tonë dhe ushtrojnë profesionet e tyre në kompani kryesisht italiane ose kompani të tjera me bashkëpunim të përbashkët. Një prej pikave kryesore të kësaj marrëveshjeje është edhe totalizimi i periudhave të kontributeve.

Në një intervistë për Klan News zv. ministrja e Ekonomisë, Olta Manjani jep më shumë detaje për objektivat e kësaj marrëveshjeje dhe për kategoritë që do të përfitojnë.

“Pjesë e marrëveshjes janë tre degë kryesore të sigurimeve shoqërore është pensioni i pleqërisë, pensioni i invaliditetit dhe pensioni familjar ose ai që quhet pensioni pasjetuesit, gjithashtu janë sigurimet për sëmundje dhe për lindjet dhe sigurimet për papunësinë,” thotë Manjani.

Më tej ajo sqaron se si do të përfitojnë shqiptarët të cilët kanë kontribute në shtetin italian. Sipas zv. Ministres ata mund të tërheqin pensionin e tyre në çdo vend ku ndodhen pa patur të nevojshme që të jenë në Shqipëri. Gjithashtu falë marrëveshjes duke marrë parasysh legjislacionin e dy vende do të bëhet e mundur llogaritja e sigurimeve shoqërore në të dyja vendet, duke iu ofruar shqiptarëve të njëjtat mundësi me shtetasit italianë.

Olta Manjani, zv.ministre e Ekonomisë: Legjislacioni italian parashikon që numri minimal i viteve për të përfituar pensionin e pleqërisë është 20 vite. Ndërkohë që Shqipëria e ka 15 vite kriterin për përfitimin e pensionit të pleqërisë. Pension i cili bazohet ne skemën kontributeve. Nëse një qytetar shqiptar ka punuar  14 vite dhe ka derdhur kontribute në skemën shqiptare të sigurimeve shoqërore dhe 19 vite në skemën italiane, pavarësisht se ka punuar 33 vite sipas legjislacionit përkatës nuk përfiton as në Shqipëri dhe as në Itali. Në këtë rast marrëveshja ndihmon për bashkimin e periudhave kontributeve që do të thotë se për efekt të llogaritjes së pensionit këtij qytetari do t’i njihen aq sa kontribuar 33 vite punë. Pra është një benefit i madh pasi siguron që asnjë ditë e kontributeve të tyre të mos të humbasë nga ana tjetër parime të tjera të rëndësishme është trajtimi i barabartë që do të thotë se një shtetas shqiptar trajtohen njësoj me një shtetas italian.

Më tej gjatë fjalës së saj zv.ministrja e Ekonomisë thotë se përpjekje për të realizuar këtë marrëveshje kanë qenë të shumta dhe të pa ndërprera dhe nëse ditën e sotme marrëveshja ratifikohet në parlamentin tonë në qershor pritet të ratifikohet dhe në atë italian.

“Kjo është nju marrëveshje e cila ka patur një konsensus të gjerë edhe kur e kemi mbrojtur në komisione parlamentare opozita ka votuar pro për shkak të sensivitetit të marrëveshjes por edhe për faktin që ka një numër shumë të madh shqiptarësh që përfitojnë nga kjo marrëveshje. Nga ana procedurale është firmosur, është nënshkruar marrëveshja kuadër nga dy ministrat në muajin shkurt, kjo marrëveshje pason me një marrëveshje tjetër teknike e cila është marrëveshja administrative, në këtë marrëveshje parashikohen të gjitha detajet teknike për zbatimin e marrëveshjes. Është një marrëveshje që është dakordësuar të fillojë negociatat në muajin qershor ne do të kemi një raund tjetër negociatash kësaj radhe në Romë pasi raundi i parë i negociatave u mbajt para dy vitesh në Tiranë dhe me mbylljen e kësaj marrëveshje pritet dhe ratifikimi në Parlamentin Italian,” përfundon Olta Manjani.

/tvklan.al