Një kabinet krizash është ngritur nga qeveria e shtetit të São Paulo në Brazil për të përballuar një situatë katastrofike të zjarreve që kanë vënë në gatishmëri 30 qytete. Flakët kanë vrarë deri tani 2 persona ndërsa tymi i dendur është bërë shkak për ndërprerjen e trafikut në një sërë autostradash.
Madje edhe kryeqyteti, São Paulo është mbuluar nga një mjegull gri. Temperaturat në rritje dhe lagështia e ulët kanë krijuar kushtet për përhapjen e flakëve që mbështeten edhe nga thatësirë e tejzgjatur.
Brazili ka përjetuar kohët e fundit zjarre të mëdha në një sërë rajonesh. Situatë kritike ka qenë ajo në São Jose do Rio Preto, një qytet me 480,000 banorë, ku janë regjistruar më shumë se 335 zjarre ditët e fundit, duke shkaktuar mbylljen e shkollave. Ekspertët e klimës thanë se sezoni i zjarreve të këtij viti ka filluar më herët dhe është më intensiv se në vitet e mëparshme. Në maj të këtij viti, Brazili përjetoi gjithashtu përmbytje masive të cilat lanë më shumë se 170 njerëz të vdekur dhe zhvendosën më shumë se gjysmë milioni njerëz nga shtëpitë e tyre.
Tv Klan