Në Los Anxheles është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, pas shpërthimit të zjarreve masive në kodrat pranë brigjeve veri-perëndimorë të qytetit.

Deri më tani janë evakuuar mbi 30 mijë banorë kryesisht në lagjen me vila luksoze Pacific Palisade, pasi zjarri i shpërthyer fillimisht në kodrat e pyllëzuara, zbriti me shpejtësi drejt zonës së banuar pranë bregdetit. Erërat e fuqishme me shpejtësi mbi 90 kilometra në orë ndihmuan në përhapjen e shpejtë të flakëve në mbi 12 kilometra katrorë brenda pak orëve.

Deri më tani nuk flitet për viktima apo të lënduar, megjithëse shumë banorë kanë postuar në rrjetet sociale filmime që tregojnë se mbeten të izoluar mes flakëve.

Zjarrfikësit janë duke u përpjekur të vënë nën kontroll flakët, por autoritetet thanë se situata është shumë e vështirë për momentin. Zjarret kanë bllokuar edhe hyrjen kryesore të zonave të banuara në autostradë.

Dëmtimi i linjave të energjisë la pa furnizim mbi 180 mijë abonentë në Los Anxheles. Autoritetet shpallën alarmin e kuq nga rreziku i përhapjes së zjarreve për miliona banorë. Ndërsa presidenti Xho Bajden premtoi mbilizimin e ndihmave dhe fondeve federale për përballimin e situatës.

Tv Klan