Përmirësimi i shërbimeve të ofruar nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive ndaj qytetarëve ishte në fokus të një seminari të organizuar nga Forumi për Demokraci dhe etikë të ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë.
Për këtë qëllim muajin e kaluar janë kryer sondazhe pranë zyrave të regjistrimit. Për kryeregjistruesin Arben Qiriako zbatimi strategjik dhe anti-korrupsion ka dhënë efekte pozitive edhe tek shërbimet e ofruar nga hipoteka.
Arben Qirjako: “Natyrisht që edhe sot mund të ketë korrupsion, por ne kemi hartuar strategji të cilat mund të themi me siguri se kanë edhe rezultate shumë të mira. Referuar dhe konkluzioneve të vëzhgimit që kanë bërë ndaj ekspertëve të forumit koha e aplikimit të qytetarëve është shkurtuar ndjeshëm. Procedura e aplikimit është thjeshtuar dhe kostoja për të kryer një aplikim është ulur. Kjo që po them vërtetohet edhe në raportin e fundit të bankës botërore. Të bësh biznes kur regjistrimi i pronës ka përmisuar 20 shkallë brenda 1 viti.”
Për ambasadorin britanik në vendin tonë, zgjidhje e problematikës në lidhje me regjistrimin e pasurive është një parakusht për investitorët e huaj.
Fraser Wilson: “Dua të falënderoj zotin Arben Qirjako, kreun e zyrës së regjistrimit të pasurive dhe stafin e tij për përkushtimin. Pa mbështetjen e të cilëve ky projekt nuk do ishte bërë i mundur. Shqipëria duhet të merret seriozisht me çështjen e zgjidhjes së pronës. Kjo do të ndikojë më shumë në thithjen e investimeve të huaja. Por është gjithashtu edhe një nga kriteret që duhet përmbushur për integrimin në BE.”
Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme po skanojnë të gjithë dokumentacionin për të mundësuar në një fazë të dytë shërbimin online për të gjithë klientët./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro