Gazetarja e njohur Anduela Ndreu ishte e ftuar mëngjesin e sotëm në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan. E kemi parë shpesh të flasë për politikën dhe aktualitetin, por sot ajo vjen me një rrëfim ndryshe.
Anduela është një grua e cila ka plot 10 vite që kujdeset e vetme për vajzën e saj. Në studio, ajo tregon të gjitha vështirësitë, që has një nënë e cila prindëron e vetme.
Gjatë rrëfimit të saj ajo tregon se si një grua është e detyruar të jetë vetë nënë edhe baba, madje ajo vetë thotë se prej vitesh për hir të arsimimit dhe edukimit të vajzës së saj ka qenë e detyruar të bëjë dy punë.
Anduela Ndreu: Unë që prej vitit 2014 e rris vetëm vajzën time, kam zgjedhur të rris një fëmijë të lumtur në kushtet kur ti e sheh që është e pamundur që ai të rritet i lumtur nën një çati me të dy prindërit. Është 15 vjeçe dhe kemi kaluar shumë sfida bashkë, mund të them që jam rritur bashkë me vajzën, duke i përjetuar të gjitha gjërat vetë. Je i detyruar të jesh edhe babë edhe nënë, je i detyruar të mos thuash “nuk mundem” sepse është një fëmijë përtej jetës tënde. Në këtë jetë të gjitha gratë, vazjat që bëhen nëna nëse nuk punojnë më shumë për fëmijën, atëherë mendoj se dështojnë në rritjen dhe në mirërritjen e një fëmije. Unë kur e mora këtë vendim e mora vetëm për vajzën time sepse thashë që unë dua të rris një fëmijë të lumtur dhe krenar.
Katerina Trungu: Dhe ti fillove të prindërosh vetëm.
Anduela Ndreu: Po sepse unë dua që të arrij qëllimin që kam, që të rris një fëmijë krenar.
Katerina Trungu: Po vetë sot a je e lumtur?
Anduela Ndreu: Unë mendoj se asnjë grua nuk është e lumtur duke qenë vetë nënë dhe vetë babë sepse Zoti i ka dhënë rolet në jetë. Nuk them se burri është i pazëvendësueshëm sepse vazhdon jeta dhe e rrit fëmijën. Por, partneri në jetë është një garanci. Kur e vendos kokën në krevat në mbrëmje ti bën gjithmonë një bilanc, “a ia vlen”, po ia vlen për fëmijën, ia vlen ta rrisësh të shëndetshëm, por nuk mendoj se një grua është e lumtur duke qenë vetëm. Sado që të kesh mbështetjen e njerëzve dhe të të afërmve secili në mbrëmje shkon në shtëpinë e tij.
Katerina Trungu: Është peshë e rëndë kjo, në çfarë aspekti?
Anduela Ndreu: Po është peshë e rëndë. Është e kotë të thuash jam grua në karrierë, po jam grua në karrierë sepse dua që ta rris atë fëmijë. Është momenti i vështirë kur e rrit fëmijën vetëm, është shumë e lodhur dhe mbyll sytë në darkë shpeshherë edhe me lot dhe nesër duhet të ngrihesh sepse bie zilja e telefonit, duhet të çosh fëmijën në shkollë, duhet të shkosh në punë, duhet të jesh e buzëqeshur, duhet të kthehesh në shtëpi dhe të bësh të gjitha ato angazhime që ka një nënë. Jeta është me shumë sfida. Unë prej shumë vitesh kam bërë dy punë që të shkolloj vajzën. Kam disa muaj që po bëj vetëm një punë dhe më vjen çudi. Me një rrogë një njeri në mes të Tiranës e ka tejet të vështirë që t’ia dalë./tvklan.al