E ftuar në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan blogeria Xheklina Bylykbashi duke folur për sfidat e të qenurit prind vetëm, rrëfeu dhe përjetimet e saj personale.
Nënë e dy vajzave të vogla, ajo thotë se është shumë e lumtur që po prindëron e vetme, duke renditur më tej të gjitha sfidat që ajo personalisht has çdo ditë në një shoqëri që është në zhvillim.
Xheklina Bylykbashi: Të jesh nënë sot dhe të prindërosh vetëm në një shoqëri që është akoma në zhvillim është një sfidë e madhe. Për tre arsye, e para është përgjegjësia e dyfishtë të jesh dhe nënë dhe baba, të prindërosh gjithë kohës, të përballesh me sfidat jo vetëm në aspektin e dy vajzave në rastin tim, por edhe në aspektin emocional. Nuk ke një mbështetje të ndash frikat dhe pasiguritë e tua si prind i ri me fëmijën e parë apo me dy fëmijë.
Tjetra është që ti në sytë e fëmijëve të tu je një model dhe unë kam patur fatin sikurse të gjitha ne, që të rritemi nga gra të forta. Nga gra të cilat kanë prindëruar në një kohë historike me rrethana akoma më të vështira, është e vërtetë që ne kemi sfidat tona sot, por nënat tona kanë patur sfida akoma më të vështira. Fakti që vajzat e mia më shohin vetëm mua, një grua, është një kënaqësi. Unë jam një feministe e zjarrtë dhe unë kam fatin të jem nënë e dy vajzave. Mëgjithë respektin e figurës së babait unë jam shumë e lumtur që të prindëroj vetëm dhe të jem një model në sytë e tyre.
Ajo që mua më shqetëson është stigmatizimi i rastit, paragjykimi dhe gjykimi i rastit në veshin e prindërve apo të familjarëve. Por qoftë edhe të blesh disa pajisje hidraulike vetëm apo diçka tjetër shikohesh nga ai zotëria tek dyqani i lagjes sikur je një qënie e mbinatyrshme./tvklan.al