Më pak të shtruar në spital, rritet numri i të shëruarve
E mërkura shënoi sërish rritje të numrit të të infektuarve në vendin tonë, me 17 raste të reja.
“Deri në këto momente janë testuar 2989 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 400 raste”.
Tirana, Fieri, Elbasani dhe Shkodra po regjistrojnë persona të tjerë të infektuar.
“Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë me 9 raste, Elbasan 1 rast, Fier 6 raste dhe Shkodër 1 rast”.
Por rritja e numrit të të infektuarve, është shoqëruar me ulje të personave të hospitalizuar.
Ndryshe nga e marta ku 74 persona merrnin ndihmë mjekësore në spital për Covid-19, tashmë numri është ulur në 58.
“Ju informojmë se në shërbimin infektiv aktualisht janë 52 të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar gjithsej. Nga këta 5 pacientë janë në terapi intensive, 1 në pavion, ndërsa 4 pacientë janë të intubuar”.
Numri i të shëruarve ka pësuar rritje. Mes tyre janë edhe 5 persona nga personeli mjekësor, 1 mjek dhe 4 infermierë. Numri i bluzave të bardha që janë shëruar nga koronavirusi ka arritur në 27.
“Gjatë 24 orëve të fundit, 23 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga Covid-19 në 154”.
Deri tani në vendin tonë nga Covid-19 kanë humbur jetën 22 persona.
Tv Klan