Lumir Abdixhiku, kryetari i LDK-së ka qenë mbrëmjen e sotme në një intervistë përballë Blendi Fevziut në emisionin “Opinion” në Tv Klan.  

I pyetur nga Fevziu se a e tremb Albin Kurti, Abdixhiku ka thënë se nuk ka frikë nga askush për sa kohë që ai person e ndërton karrierën e tij mbi kauza, të cilat nuk i mban.

Në fjalën e tij, kryetari i LDK-së është shprehur se do të japë një shembull të një opozite të përgjegjshme, duke iu referuar asaj që është e qartë dhe e hapur në vizionin e vet dhe e pakorruptueshme.

Blendi Fevziu: A ju tremb Albin Kurti?

Lumir Abdixhiku: Unë besoj që nuk më tremb askush që e ndërton karrierën e tij politike mbi kauza që nuk i mban sepse paqëndrueshmëria e tij është dobësia më e madhe që ka. Unë dua të jap një shembull të një opozite të përgjegjshme.

Blendi Fevziu: Si mund të jetë një opozitë e përgjegjshme?

Lumir Abdixhiku: Duke bërë atë që opozita e kaluar nuk e ka bërë asnjëherë. Duke qenë konstruktive, duke qenë e qartë në vizionin e vet, duke qenë e hapur në vizionin e vet, padyshim e pakorruptueshme. Unë e shoh LDK-në një potencial të jashtëzakonshëm politik që tërheq të gjitha moshat në Kosovë, do të fokusohemi tek gratë dhe të rinjtë.

Do të bëj një parti moderne dhe jam i bindur që kur koha të vijë, njerëzit do të kthejnë besimin tek ne me gjithë paaftësinë që kjo qeveri ka./tvklan.al