Ish-ylli i Manchester United, Anthony Martial, do të vazhdojë karrierën e tij në Greqi.
Sulmuesi ka qenë një futbollist i lirë që kur u largua nga “Djajtë e kuq” në verë, pas një periudhe nëntëvjeçare në ‘Old Trafford’.
Klubi grek i AEK-ut të Athinës njoftoi se ka firmosur me francezin, ndërsa në rrjetin social ‘X ‘shkroi se ‘magjistari po vjen’.
Futbollisti 28-vjeçar kërkohej nga disa klube, përfshirë Flamengon në Brazil. Por në fund ai pranoi ofertën e bërë nga gjigandët grekë.
Martial do të jetë pjesë e AEK-ut, ku luan edhe portieri kuqezi Thomas Strakosha për tre sezonet e ardhshme. Ai do të përfitojë në total 9 milion euro.
Ky është shpenzimi më i madh për një futbollist në historinë e klubit grek. Ndërsa ka qenë në kërkim të një ekipi të ri, francezi është stërvitur veçmas rregullisht, për të qenë në një gjendje optimale fizike.
Interesim për shërbimet e tij patën edhe Lille, Atalanta, Marseille dhe Besiktas. Tashmë atë e pret një sidë e re në një kampionat konkurrues si ai grek.
Klan News