Aktorja me origjinë izraelite, Gal Gadot, që luan rolin e Wonder Woman u prek nga gjesti fisnik i një 6-vjeçarje e cila u inspirua nga bukuroshja 35-vjeçare për të luftuar sëmundjen nga e cila vuante, distrofia muskulare.
“Ti më ndihmove të luftoj. Të jetoj me distrofinë muskulare dhe më frymëzove të bëj ushtrimet fizike. Faleminderit që dhurove kontribute tek marshimi im Wonder Woman. Më ndihmove mua dhe i dhe shpresë shumë fëmijëve të tjerë”, shprehej Carmela Watson.
Këto fjalë e përlotën Gadot, e cila dhe vetë është nënë e dy vajzave.
“Kjo më zbukuroi ditën. Është një privilegj të kem ndikim tek këto vajza të mrekullueshme dhe t’i jap kurajo. Carmela është një Wonder Woman e vërtetë. Ajo lufton dhe nuk lejon asgjë ta ndalojë”, tha aktorja.
6-vjeçarja u diagnostikua me këtë sëmundje, e cila dobëson muskujt dhe dalëngadalë çon në paaftësi në lëvizje.
Në Shtator të këtij viti, Carmela së bashku me të ëmën, përshkoi çdo ditë nga 1 kilometër rrugë për 30 ditë me radhë e veshur si Wonder Woman me qëllim rritjen e fondeve për shoqatën “Distrofia Muskulare” në Mbretërinë e Bashkuar.
Pas 9 ditësh, erdhi reagimi nga Gal Gadot e cila shpërndau në Twitter lajmin e vajzës dhe mbishkroi sa e impresionuar ishte nga vogëlushja.
Aktorja dhuroi 3,442 Paund dhe ndihmoi që Carmela të arrinte targetin prej 6,000 Paundësh. Por sigurisht shuma u mbikalua dhe ajo arriti rreth 15,000 Paund./tvklan.al